Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi në një takim me simpatizantë në Bulqizë ka thënë se partia që ajo drejton ka pikë kryesore Statusin e Minatorit.
Kryemadhi theksoi se statusi i minatorit do jetë në fokus të angazhimit të LSI-së, kur Lëvizja Socialiste për Integrim të jetë në pushtet. Ajo shtoi se qarku i Dibrës ka qenë dhe do jetë në fokus të LSI-së.
“Një nga pikat tona kryesore që kemi për gjithë angazhimin tonë, përveç programit me 5 prioritetet tona që kemi në 5 muajt e parë të qeverisjes, është edhe statusi i minatorit , për të cilin ne jemi ngritur gjithmonë. Edhe deputeti i zonës Përparim Spahiu, i cili është këtu me ne, por për arsye të rregullave të pandemisë nuk është prezent në këtë tryezë. Propozimi që ne patëm dhe e propozuam në Parlament, edhe pse e patëm propozuar që në mandatin e parë të Përparim Spahiut, asnjëherë mazhoranca e asaj kohe, PS-ja nuk e mori parasysh. Dhe ne e ribëmë si një iniciativë personale të zotit Spahiu për ta pasur në Parlament, por që u rrëzua nga PS-ja.
Ne gjithmonë e kemi parë statusin e minatorit dhe Spahiu e ka pasur gjithmonë një nga pikat dhe sfidat e veta, duke qenë edhe djalë minatori, rritur në qytetin e Bulqizës”-tha Kryemadhi.