Vendosni fjalën kyçe....

Shpërthimi me tritol te “Komuna e Parisit”, merret në mbrojtje familja e Prokurorit Muça


Një ditë pas shpërthimit me tritol në makinën e prokurorit Arjan Muça, policia ka marrë në mbrojtje familjen e tij.

Sipas “Balkanweb” familja e prokurorit që është pjesë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë do të ruhet nga policia, ndërkohë që punonjës të policisë kanë qenë në patrullim që prej ditës së djeshme pranë banesës së prokurorit.

Ky vendim vjen pas sulmit me eksploziv që ndodhi mbrëmjen e kaluar, që mendohet se ishte një mesazh paralajmërimi për prokurorin dhe nuk besohet se kishte si synim t’i merrte atij jetën.

Shpërthimi ndodhi ditën e djeshme te “Komuna e Parisit”, në Tiranë. Mjetit tip “Benz” me ngjyrë të zezë të prokurorit iu vu tritol teksa ishte i parkuar në minus dy kate brenda një qendre tregtare. Për fat të mirë nga ngjarja nuk ka të lënduar, por mjeti i prokurorit dhe një mjet tjetër mbetën të dëmtuara.

Prokurori Muça ka thënë në Policinë e Tiranës se mjetin e ka në pronësi të tij dhe prej më shumë se 2 vitesh e parkon rregullisht në katin minus 2 të nëndheshëm, në qendrën tregtare të “Komunës së Parisit”.

Sipas “Balkanweb”, prokurori ka thënë në dëshminë e tij për policisnë se nuk ka asnjë konflikt dhe se beson se ky sulm lidhet vetëm me detyrën e tij në KLP.

Arjan Muça aktualisht anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe merret me dosjet e gjyqtarëve dhe prokurorëve, që kalojnë në Vetting. Ndërkohë bashkëshortja e tij është gjyqtare te Gjykata Administrative e Tiranës.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *