Një tjetër mjek në vendin tonë ka humbur jetën si pasojë e koronavirusit. Bëhet fjalë për mjekun endokrinolog Geron Husi, i cili ishte 50-vjeç.
Lajmin e ka konfirmuar ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, e cila shprehet e hidhëruar për ndarjen e tij nga jeta, ndërsa u shpreh ngushëllime dhe familjarëve.
“E hidhëruar nga lajmi për ndarjen e parakohshme nga jeta të dr. Gerond Husit, njeri dhe profesionist i shkëqyer, që nuk ia doli dot në betejën me #covid19.
Dr. Geri i ka shërbyer me mijëra pacientëve në Shërbimin e Endokrinologjisë në QSUT, profesionist i rrallë dhe i palodhur në komunikim me pacientët.
Dr. Geri do i mungojë të gjithëve, Matildës së tij të dashur dhe fëmijëve, familjes, miqve, kolegëve dhe të gjithë atyre që i shërbeu me aq humanizëm.
U presh në paqe Dr. Geri”– shkruan Manastirliu.
Lidhur me lajmin e hidhur ka reaguar edhe kolegu dhe miku i mjekut të ndjerë, Tritan Kalo. “Kohë kovidiane….13.03.2021….E pabesueshme por dhëmbshurisht e vërtetë….Sars-Cov2/Covid-19 edhe kësaj here goditi tinëzisht….Armatës së Mantelbardhëve nga sot e tutje do ti mungojë një anëtar i shquar i saj, Dr. GERON HUSI….Gojëmbëli, zemërmadhi, mëndjendrituri, buzëgazi, fjalëpaku dhe punëshumi si ai…”- shkruan Kalo.
Ai tregon se njihej prej më shumë se 30 vitesh me doktor Gerin dhe shprehet se nuk i besohet që ai tanimë është ndarë nga kjo jetë. Doktor Kalo gjithashtu u shpreh ngushëllimet familjarëve, ndërsa u drejtohet në veçanti fëmijëve, duke u thënë të jenë “krenarë” për të.