Ministrja e Mbrojtjes e Australisë, Linda Reynolds ka paguar dëmshpërblim për një ish-ndihmësen e saj të cilën ajo e quajti “lopë gënjeshtare”. Kjo pasi ndihmësja Brittany Higgins pretendoi se ishte përdhunuar nga një ish-koleg.
BBC shkruan se në marrëveshjen konfidenciale përfshiet një donacion për një shoqatë bamirësie të fokusuar në ndihmën ndaj personave të abuzuar seksualisht.
Ministrja Reynold i kërkoi falje zonjës Higgins, për mënyrën se si reagoi kur ajo ngriti zë për abuzimin seksual.
Zonja Higgins kishte akuzuar publikisht një tjetër anëtar të stafit se e kishte përdhunuar atë në vitin 2019. Në publik ministrja e mbështeti ish-punonjësen e saj kur ajo bëri akuzën. Reynolds u raportua të ketë përshkruar Higgins si “një lopë gënjeshtare” në zyrën e saj në 15 Shkurt të këtij viti, ditën kur Higgins doli publikisht me pretendimin e saj se ishte përdhunuar në zyrën e ministres nga një punonjës tjetër në fillim të vitit 2019.
Zonja Reynolds ka marrë pushime nga detyra për arsye shëndetësore, kërkoi ndjesë në mediet sociale duke u shprehur se nuk kishte dashur të thoshtë “atë që është kuptuar” nga fjalët e saj.
“Duke qenë se komenti u bë publik, gjë që unë kurrë nuk e kisha ndërmend, unë gjithashtu dua ta tërheq dhe t’i kërkoj falje pa rezervë Brittany Higgins dhe të pranoj lëndimin dhe shqetësimin që i shkaktoi asaj.”– shpjegoi ajo.
— Linda Reynolds (@lindareynoldswa) March 12, 2021
Në një deklaratë, zonja Higgins tha se ajo pranoi ndjesën e ministres.
“Unë jam e kënaqur që ministrja tani ka tërhequr komentet e saj dhe unë pranoj ndejesën e saj ndaj meje.”– tha zonja Higgins. “Çdo para që kam marrë nga ministrja, si pjesë e kësaj zgjidhjeje të pretendimit tim ndaj saj dhe mbi shpenzimet e mia ligjore, do t’i paguhen të gjitha një organizate që siguron këshillim dhe mbështetje për të mbijetuarit e sulmeve seksuale dhe abuzimeve në Canberra. Këto fonde do t’i ndihmojnë ata në këtë punë të rëndësishme.”- shpjegoi ajo.