Dyqanet, restorantet dhe shkollat do të mbyllen në pjesën më të madhe të Italisë duke nisur nga e hëna.
Kryeministri italian Mario Draghi paralajmëron për një “valë të re” të shpërthimit të koronavirusit dhe ka vendosur që të shtrëngojë masat.
Siç shkruan BBC, po ashtu për tre ditë gjatë Pashkëve (në datat 3-5 Prill) do të ketë një mbyllje totale.
Italia, që një vit më parë vendosi një nga bllokimet e para kombëtare, po lufton edhe një herë për të përmbajtur përhapjen e shpejtë të infeksioneve.
Vendi ka raportuar më shumë se 100 mijë vdekje të lidhura me Covidin, numri i dytë më i lartë i vdekjeve nga Covid-19 në Evropë pas Mbretërisë së Bashkuar.
Fushata e vaksinimit në Itali po përballet me vonesa, ndërsa kompania anglo-suedeze “AstraZeneca” ka njoftuar se ka mungesa për vaksinat e parashikuara për vendet e BE-së.
Javën e kaluar qeveria në Romë bllokoi eksportin e 250 mijë dozave të vaksinës së Oksfordit dhe AstraZenecës në Australi si masë për mungesat e vaksinave.