Këshilli ushtarak i Mianmarit ka thënë se do zhvillojë zgjedhjet e reja elektorale dhe do të dorëzojë kontrollin kur të ketë kaluar një periudhë e pacaktuar – por gjithashtu e akuzoi ish-lideren e vendit Aung San Suu Kyi, se ishte përfshirë në korrupsion.
Duke folur të enjten, Gjeneral Brigade Zaw Min Tun, zëdhënës i këshillit ushtarak në pushtet të Mianmarit, tha se junta do të ishte e gatshme të hiqte dorë nga pushteti pas një ‘kohe të caktuar’, por nuk dha asnjë të dhënë se kur do të ndodhte kjo.
Ai gjithashtu lëshoi akuza të reja ndaj ish-udhëheqëses së burgosur Suu Kyi, duke pretenduar se ajo kishte pranuar pagesa të paligjshme me vlerë 600,000 dollarë si dhe ar, ndërsa ishte në qeveri. Zëdhënësi shtoi se akuzat kundër Suu Kyi ishin verifikuar dhe tha se hetimet po vazhdonin.
Akuzat përfshijnë gjithashtu ish-presidentin Win Myint dhe disa ministra të kabinetit. Zëdhënësi tha se Myint i kishte kërkuar komisionit zgjedhor të Mianmarit që të mos veprojë në lidhje me raportet e parregullsive që ishin ngritur nga ushtria.