Presidenti i vendit Ilir Meta ka bërë një postim këtë mëngjes në Facebook, një foto ku shihet krah inxhinierit Xhevahir Ngjeqari për të cilin shpreh vlerësimet më të mira.
Meta thotë se Ngjeqari i ka kushtuar gjithë këtë pjesë të jetës së tij studimit të burimeve natyrore të pashfrytëzuara të Shqipërisë.
“Inxhinier Xhevahir Ngjeqari është një intelektual i rrallë, i cili gjithë këtë pjesë të jetës së tij ia ka kushtuar energjikisht studimit të burimeve natyrore të pashfrytëzuara të Shqipërisë, duke u bërë njëherazi avokat dhe kontribues i mbrojtjes dhe shfrytëzimit të tyre me efikasitet në funksion të interesit publik e kombëtar.
Së fundi ai vjen me librin ‘Mesdheu-Adriatiku.
Projektim i porteve tregtare-turistike-peshkimit dhe realizimi në bregdetin shqiptar’, fryt i një pune pasionante ndër vite, që në thelb përbën një perspektivë të vyer për ekonominë shqiptare, e cila duhet të merret në konsideratë.”– shkruan Meta.
Këtë moment Meta e shfrytëzon për të dhënë edhe një mesazh lidhur me politikën, teksa thekson se është koha për të kthyer vëmendjen tek interesi publik.
“Zëri i intelektualëve tanë të shquar duhet të dëgjohet më shumë për t’i dhënë qëndrueshmëri rritjes së zhvillimit ekonomik të vendit.
*Boll më me interesa klienteliste që synojnë zhvatjen e Shqipërisë nga vetëm një grusht oligarkësh e horrash*. Koha për të kthyer të gjithë vëmendjen nga interesi publik!”– shkruan Meta.