Një çift pakistanez u përjashtua nga Universiteti i Lahore pasi një video e tyre duke u përqafuar u bë virale. Institucioni tha në një letër se dyshja u përjashtuan pasi u shpallën fajtorë për shkelje të kodit të sjelljes.
Fotografitë dhe videot që qarkullojnë në internet tregojnë një vajzë të re që i propozon partnerit të saj ndërsa përkulet në njërin gju dhe i ofron atij një buqetë.
Burri pastaj i merr lulet dhe e tërheq lart për një përqafim. Çasti magjik u prit me duartrokitje dhe brohoritje nga kalimtarët, por duket se administratorët e universitetit e menduan ndryshe.
Sipas një dokumenti të publikuar në media, universiteti i akuzoi të dashuruarit për ‘sjellje jashtë norme’ dhe i thirri ata të paraqiteshin para një këshilli disiplinor.
Ata u përjashtuan të premten pasi komiteti arriti në përfundimin se dyshja ishte përfshirë në një ‘shkelje serioze’ të kodit të sjelljes së universitetit. Dy studentët thuhet se nuk u paraqitën në seancë.