Vendosni fjalën kyçe....

Edhe Holanda pezullon vaksinën e “AstraZenecës”


Holanda është bërë vendi më i fundit që pezullon përdorimin e vaksinës kundër koronavirusit të prodhuar nga Universiteti i Oksfordit dhe kompania farmaceutike AstraZeneca. Kjo pas shqetësimeve të ngritura për efektet e tyre anësore.

Siç shkruan BBC, shtatë vende deri më tani kanë pezulluar plotësisht vaksinimet me dozat nga AstraZeneca.

E megjithatë, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Agjencia Evropiane e Barnave thonë se nuk ka asnjë tregues për një lidhje midis vaksinës dhe raporteve të mpiksjes së gjakut.

Ekspertët thonë se rastet e mpiksjes tek njerëzit e vaksinuar janë më të ulëta se në popullatën e përgjithshme.

Rreth 17 milion njerëz në BE dhe në Mbretërinë e Bashkuar kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës, me më pak se 40 raste të mpiksjes së gjakut të raportuara që nga java e kaluar.

Qeveria Hollandeze tha se pezullimi i cili do të zgjasë të paktën deri më 29 Mars, ishte vetëm një masë paraprake.

Republika Irlandeze ndërmori një veprim të ngjashëm pas raporteve se personat që e kishin marrë vaksinën, kishin raportuar mpiksje të gjakut në Norvegji. Danimarka, Norvegjia, Bullgaria, Islanda dhe Republika Demokratike e Kongos kanë pezulluar të gjitha vaksinimet me vaksinën. Ndërkohë disa vende të tjera evropiane, përfshirë Italinë dhe Austrinë, kanë pezulluar vetëm përdorimin e grupeve të caktuara të vaksinës si një masë paraprake.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *