Pesë persona janë arrestuar mbrëmë në Kukës. Kjo pasi gjatë një kontrolli në një lokal që qëndronte i hapur pas orës 20:00 (që është orari i lejuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve dhe qeveria për shkak të Pandemisë), policia gjeti kokainë, fisha pokeri dhe letra bixhozi.
Pesë të arrestuarit janë: P. V., 25 vjeç, Q. A., 28 vjeç, B. P., 29 vjeç, V. Sh., 32 vjeç dhe A. SH., 38 vjeç, banues në Kukës.
I pari ishte pronari i lokalit, i cili e kishte përshtatur biznesin e tij dhe si ambient për përdorimin e lëndëve narkotike.
NJOFTIMI I POLICISË
Vijon puna për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe lojërave të palejuara.
Goditet një rast i veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza.
Vihen në pranga 5 shtetas, mes tyre dhe pronari i lokalit që ishte përshtatur për përdorimin e lëndëve narkotike dhe lojëra të kundërligjshme.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Kukës, në vijim të goditjeve kundër aktivitetit kriminal në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë policore se në një lokal në qytetin e Kukësit konsumohej lëndë narkotike dhe organizoheshin lojëra të palejuara, kanë organizuar punën dhe si rezulatat është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
- V., 25 vjeç, Q. A., 28 vjeç, B. P., 29 vjeç, V. Sh., 32 vjeç dhe A. SH., 38 vjeç, banues në Kukës.
Arrestimi i tyre u bë pasi nga kontrolli i ushtruar në qytetin e Kukësit, gjatë orarit të karantinës, në lokalin në përdorim nga shtetasi P. V., ndodheshin edhe 4 shtetasit e tjerë, të cilët në momentin kur kanë hyrë punonjësit e Policisë, kanë hedhur në dysheme, 3 doza me lëndë të dyshuar narkotike, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Shtetasi P. V. ushtronte aktivitet tregtar të palicencuar në lokalin e tij që e kishte përshtatur edhe si ambient për përdorimin e lëndëve narkotike.
Gjatë kontrollit në lokal u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një valixhe me fisha të ndryshme, letra bixhozi dhe një tavolinë që shërben për të luajtur bixhoz.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Përshtatja e lokalit për përdorim droge”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.