Më 7 Mars u mbushën plot 134 vite nga krijimi i Mësonjëtores së parë Shqipe në qytetin e Korçës.
Hapja e mësonjëtores së parë ishte një fitore e madhe për popullin shqiptar, pasi deri atëherë dhënia e mësimeve për shkak të pushtimit osman bëhej privatisht brenda shtëpive në mënyrë të fshehtë.
E vetëm pak ditë më parë, Ministrja e Kulturës Elva Margariti njoftoi se ka përfunduar procesi i rikonstruksionit të “Muzeut të Arsimit – Mësonjëtorja në Korçë”, një proces që zgjati plot tre vite.
E ministrja në llogarinë e saj në Facebook na serviri disa foto për të treguar ndryshimet që ishin bërë, por që qytetarët i kanë lënë të befasuar.
Si fillim u diskutua për spostimin e instalacionit të “ABC”-së në një pikë tjetër të godinës, për të cilën ministrja dha një përgjigje:”Indinjatën e kam dëgjuar nga pak persona, nuk i është hequr asgjë nga vlera që mbart simboli i një vepre të tillë artistike, ajo është kthyer në një element akoma më të vyer në momentin, ndërsa në këtë hapësirë tashmë çdokush mund të ulet dhe të diskutojë dhe të shpreëh më shumë mbi dijen e mësonjëtores.”
Mirëpo ministrja ende nuk ka thënë asgjë për komentet se tanimë një nga sallat (bëhet fjalë për ambientin e bibliotekës) që është kthyer sikur të ishte një lokal.
Tavolinat e reja me karriget për t’u ulur përballë njëri-tjetrit i kanë çuditur qytetarët, të cilët i shprehin indinjatën ministres përmes komenteve.
“A e di kuptimin e fjalës MUZEUM?”- pyet dikush. Ndërsa një qytetare shpreh shqetësimin se vajza e saj po të shkojë në muze nuk do të mund të kuptojë asgjë, pasi arredimi i ri nuk ka asnjë lidhje me shkollën e vjetër.
Madje ka nga ata që sugjerojnë ta kthejnë muzeun në një kafene, kështu siç është bërë.
Ndërkohë për ata që nuk i kanë parë fotot e ministres, ka patur dhe instalacione moderne me kufje e syze 3D për turistët.