Gruaja britanike e sundimtarit të Sirisë, Bashar al-Assad, po përballet me akuza të mundshme për terrorizëm dhe rrezikon të humbë shtetësinë e saj britanike pasi policia ka nisur një hetim ndaj saj.
Siç shkruan The Guardian, Asma al-Assad akuzohet se ka nxitur, ndihmuar dhe inkurajuar krime të luftës nga forcat e qeverisë Siriane.
45-vjeçarja Asma al-Assad, e cila ka lindur dhe është arsimuar në Londër para se të bëhej zonja e parë e Sirisë në vitin 2000, po hetohet pas padive ligjore që pretendojnë se fjalimet e saj dhe paraqitjet publike në mbështetje të ushtrisë siriane e implikojnë atë në krimet e lartpërmendura, duke përfshirë edhe përdorimn e armëve kimike.
Dhjetë vjet pas luftës civile të Sirisë e cila vazhdon, ushtria e vendit është akuzuar për sulm të qëllimshëm ndaj civilëve, duke përdorur urinë si një armë lufte dhe duke i nënshtruar popullatat me përdhunim dhe dhunë seksuale, ndër shkeljet e tjera të ligjit ndërkombëtar humanitar.
Dy komisione të OKB-së kanë përfunduar se regjimi ka vendosur vazhdimisht armë kimike kundër civilëve.
Njësia e krimeve të luftës filloi hetimet e saj në Asma al-Assad në fillim të këtij viti dhe po përcakton nëse ka prova të mjaftueshme për të filluar një hetim të plotë. Nëse hetimi vazhdon, Asma al-Assad mund të humbasë shtetësinë e saj britanike dhe t’i nënshtrohet një urdhri arrestimi ndërkombëtar.