Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Unë “shërbëtori i oligarkëve” u kam marrë atyre mbi 1 miliardë dollarë, këta “Robin Hood-ët” do ua ulin në gjysmë milionë



Gjatë fjalës së tij në prezantimin e programit të PS-së për “Pagat, Taksat dhe Biznesin” kryeministri Edi Rama bëri një bilanc të taksave që ka vjelë nga bizneset e mëdha në 8 vite.

Duke e quajtur veten me ironi “shërbëtor të oligarkëve” siç e quan opozita, Rama tha se nuk do t’ua ulë atyre taksat nën 15%, por se opozitën që e quan “Robin Hood-ët” do tua ulin atyre taksat në 9% duke ua rritur qytetarëve të thjeshtë. Ai e ironizoi opozitën duke shtuar se në këtë mënyrë do të kenë të njëjtën barrë si furra e bukës ashtu edhe ndërmarrja e oligarkut.

“Vijnë këta edhe u thonë Shqipëria fiton po na dhatë votën, prandaj do na jepni 9 për qind taksë. Oligarkëve nuk do tu marrin më 15 për qind siç u marrim ne sot, por do tu marrin njësoj si ata që fitojnë më pak. Kjo është taksa e sheshte, vë në të njëjtën barrë fiskale edhe më të dobëtit, që fitojnë më pak, edhe më të fortët, që fitojnë më shumë. Për dikë që fiton 500-600 mijë lekë 9 për qind janë shumë.  Po si ka mundësi në këto kohë kaq të vështira, këta kanë guximin që të thonë që Shqipëria fiton duke u ulur nga 15 për qind në 9 për qind, taksën ndaj atyre që mi kanë hedhur mua në kurriz.

E mbi të gjitha si mund të tallen këta deri në këtë pikë, deri në fund me ata të verbuar dhe të shurdhuar politikisht, që sytë e veshët i kanë top por që mendjen e kanë tapë nga tifozllëku partiak dhe i votojnë akoma, megjithëse këta janë gati që pa pikën e turpit tua fusin duart akoma më shumë në xhep dhe t’ua japin atyre që me llafe i kanë bërë copash si shokët e mi oligarkë, më shumë se gjysmë miliardë dollarë në katër vjet.

Pra unë, shoku i oligarkëve u kam marrë në këto dy mandate mbi 1 miliardë taksa, më shumë se ç’u merrnin këta dhe këta me ngritën për vite me radhë si shërbëtor të tyre, dhe tani del që unë shërbetori nuk kam për të ua ulur taksat nën 15% ndërsa këta Robin Hood-ët tua ulin në 9 për qind. Si furra e bukës si ndërmarrja e oligarkut 9 për qind.”– deklaroi Rama.

Kryeministri e konsideroi taksën e sheshtë si një rrezik, një “fantazmë kërcënuese” pasi sipas tij me këtë taksë qytetarët e thjeshtë do të paguajnë më shumë.

“Dua të ndalem te rikthimi në skenë e një fantazme kërcënuese për të gjithë ata që marrin më shumë se 300 mijë dhe më pak se 1.2 milionë, taksa e sheshtë. Taksa e sheshtë është rreziku më i afërt, sepse me taksën e sheshtë të propozuar nga KÇK, të gjithë ata që kanë një pagë deri në 1.2 milionë do të duhet të paguajnë më shumë se sa paguajnë sot.”- deklaroi Rama.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *