Kryeministri Edi Rama në këto momente po prezanton Programin e tij për “SHKOLLËN dhe UNIVERSITETIN”, mirëpo në vend që të ndalet në ato që ka ndër mend të bëjë në mandatin e tretë, në një ekran të madh pas tij ka nxjerrë fotografitë e tre përfaqësuesve të PD-së: Albana Vokshi, Mark Marku dhe Agron Gjekmarkaj.
Ai thotë se këta të tre janë “tre ministrat e Arsimit të KÇK-së”, duke paralajmëruar qytetarët se njëri prej këtyre të treve do t’i besohej Arsimi nga Basha, por që sipas tij nuk e meritojnë këtë pozicion.
“Ja ku i keni, tre ministrat e Arsimit të KÇK-së. Dy personazhe autosatirike të klubeve të natës mediatike dhe një zonjë e njohur vetëm për fjalorin sharje-shpifës, foltore, foltore. Të tre reaksionarë ‘sharrëxhinj’ si sharro me sharrë dhe si shajxhinj si ‘shaj e shaj’. Sharrxhi e kujexhi si ‘vër kujën’ për çdo gjë që bëhet, çdo punë që bëhet, kundër Reformës në Arsim, kundër çlirimit të shkollës nga tekstet e Fahriballinjve e Muçotafajve të kohës, kundër, kundër. Me të shara e me kuja.
Vetëm imagjinoni njërin, kapni njërin nga të tre në krye të Arsimit dhe merreni me mend pastaj fëmijën tuaj, mësuesin e fëmijës suaj, shkollën e fëmijës suaj larg qoftë, në duart e kujtdo prej këtyre të treve.
Unë jam krenar që PS e çliroi shkollën nga kthetrat e politizimit absurd, duke vendosur në bazën e sistemit arsimor pacënueshmërinë e vendit të punës së mësuesve.
Sot ‘mësuesit e vjetër’ janë të alëkundshëm nga ai vend, ndërsa të rinjtë e fitojnë vendin e punës në bazë të portalit ‘Mësues për Shqipërinë’ i cili është kthyer në një mekanizëm ligjor për punësimin e mësuesve.”- deklaroi kryeministri Edi Rama.