Plot 2 mijë e 978 qytetarë janë ndëshkuar nga policia në 4 ditët e fundit, për shkak se kanë shkelur masat e vendosura nga qeveria për frenimin e Pandemisë.
Në një njoftim për mediet, Policia e Shtetit thotë se 2 mijë e 959 prej këtyre qytetarëve janë ndëshkuar pasi nuk mbanin maska në fytyrë. Këta qytetarë kanë marrë gjoba nga 3 mijë lekë (ose 30 mijë lekë të vjetra).
Ndërkohë 16 të tjerë janë ndëshkuar pasi janë kapur duke lëvizur në këmbë pas orës 20:00, që është dhe orari i vendosur nga Komiteti Teknik i ekspertëve dhe Ministria e Shëndetësisë.
Ndërsa tre prej personave të tjerë janë pronarë të tre subjekteve që janë kapur duke ushtruar aktivitetin në kundërshtim me protokollet e sigurisë
Ata janë gjobitur me 1 milionë lekë.
Njoftimi i Policisë:
Strukturat e Policisë, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, vijojnë kontrollet në të gjithë vendin, për të monitoruar zbatimin e masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Gjatë 4 ditëve të fundit, Patrullat e Përgjithshme kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 3.000 lekë, 2569 shtetas që janë konstatuar pa maskat mbrojtëse.
Shërbimet e Policisë Rrugore kanë ndëshkuar me të njëjtën masë administrative, 390 shtetas që udhëtonin në mjete private me persona me të cilët nuk kishin lidhje familjare apo në mjetet e transportit publik, pa vendosur maskat mbrojtëse.
Gjatë kontrolleve në subjekte të ndryshme, shërbimet e Policisë kanë evidentuar 3 subjekte që ushtronin aktivitetin në kundërshtim me protokollet e sigurisë. Për pronarin e secilit subjekt është vendosur masa administrative 1.000.000 lekë. Gjithashtu janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 16 shtetas që janë konstatuar duke lëvizur në këmbë pas orës 20:00.
Në zbatim të masave anticovid, Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve që të respektojnë orën policore, të vendosin maskën dhe të ruajnë distancimin social, ndërsa subjektet tregtare, lokalet dhe restorantet të respektojnë protokollet e sigurisë dhe orarin e mbylljes, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.