Kryedemokrati Lulzim Basha i cili ndodhet sot në Vlorë, ka shkëmbyer një bisedë me aktorin Bujar Asqeriu si dhe me dy parodistë të njohur të qytetit bregdetar.
Gjatë fjalës së tij, Asqeriu tha se artistët janë të pakënaqur nga politika shqiptare, sepse ata janë anashkaluar dhe nuk janë vlerësuar. Ai u shpreh se Tirana sot me 1 milionë banorë, nuk ka asnjë Teatër dhe atë që kishte e shembën. Ndërkohë që direktivat e BE-së kërkojnë 10 Teatro minimum për 100 mijë banorë.
“Artistët në përgjithësi janë të pakënaqur nga politika, sepse politika i ka anashkaluar, nuk i ka vlerësuar, nuk ka investuar për artin, edhe një Teatër e rrafshuan. Tirana ka vajtur 1 milionë banorë minimumi dhe në kërkesat e BE-së për 100 mijë banorë duhet të ketë minimum dhjetë teatro. Ku janë 10 teatro në Tiranë?!
Edhe ai që ishte e shkatërruan. Prandaj nesër, i nderuar z.Basha, teatrin ta çoni atje ku ishte. Sepse aty është fryma e atyre që nuk jetojnë dhe e atyre që nuk jetojnë nesër. Hajde prishe sot një kishë a një xhami se të vret ai atje. Ata kujtojnë se nuk shikon ai (Zoti), ai shikon çdo gjë. Prandaj ata që e kanë prishur kanë bërë një gjynah të madh. Është njëlloj si të kenë prishur një kishë a një xhami.”- deklaroi Asqeriu.
Basha nga ana e tij iu përgjigj Asqeriut se ajo çfarë e bën më të rëndë situatën, është se Teatri nuk është shembur nga padija e injoranca, por për një aferë korruptive.
“Edhe më keq sepse e kanë bërë jo nga padija, injoranca apo indoktrinimi, ata e kanë bërë për një aferë korruptive. Kanë prishur një vepër që simbolizonte dashuroinë për artin dhe e kanë bërë nga kompleksi që ai ka për artin dhe artistët. Tani ju keni shkrirë jetën tuaj për artin dhe artistët dhe minimum që ky vend ju ka për detyrim, është dinjiteti juaj dhe që të sigurojë që brezat e ardhshëm të artistëve të kenë dinjitetin për të krijuar. Sepse një komb pa art, pa kulturë, pa artistë është një komb pa shpirt. A mundet të jetojë një komb pa shpirt.”- deklaroi Basha.