Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, deklaroi mbrëmjen e sotme në Euro News se nuk e kishte dëgjuar ndjesën nga nënkryetari i forcës që ajo drejton, Luan Rama, për djegien e mandateve.
Ajo tha se nuk kishte komunikuar me të gjatë gjithë ditës për shkak të angazhimeve politike.
“Më morën edhe gazetarë në telefon… Thashë po mu bëka qejfi se qenka rikthyer dashuria e Ilir Metës me Luan Ramën dhe e paska nga të qenurit nga dashuria që kanë socialistët në qarkun e Vlorës për Luan Ramën dhe janë në një vrull të jashtëzakonshëm për ta mbështetur atë, dhe ndoshta edhe përjashtimi i Dritan Lelit nga PS-ja ka shkaktuar këtë situatë emocionale” – u shpreh Kryemadhi.
Teksa pranoi se do ta sqaronte këtë pjesë, kryetarja e LSI-së tha se “është më mirë që njerëzit të flasin”.
“Djegia e mandateve ishte një nga vendimet më të mira për të krijuar një qetësi te njerëzit për të parë që opozita nuk ishte palë dhe fasadë e Edi Ramës dhe Rilindjes” – theksoi Kryemadhi.