Kandidatja për deputete e opozitës Mesila Doda, mbrëmjen e kaluar ishte e ftuar në emisionin “Tempora” në RTV Ora, ku ka denoncuar një rast se si eksponentë të Partisë Socialiste po shpërndajnë ushqime tek njerëzit në nevojë në këmbim të votës më 25 Prill.
Sipas zonjës Doda, bëhet fjalë për një punonjës të sistemit shëndetësor dhe që po merret me fushatën e ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu. Ajo tregon disa foto të printuara, që sipas saj tregojnë punonjësin Roland Rrapja duke dhënë ndihma.
“Këtë zarfin në fakt kaloi pak më parë se unë doja t’ua tregoja. Janë disa foto që më kanë ardhur nga persona që më shkruajnë vazhdimisht. Këtu kemi një prej, duket pak se është e turbullt, do ta botoj edhe në faqen time, një person që po ndan ndihma dhe po ja jep kësaj zonjës. Personi quhet Roland Rrapja dhe është punonjës i Drejtorisë Rajonale të Operatorit të Kujdesit Shëndetësor dhe punon për zonjën Ogerta Manastirliu dhe shpërndan te zona që mbulon zonja Manastirliu. Ky po shpërndan ushqime me qëllime elektorale. Është edhe targa e makinës.
Po bëhen të gjitha denoncimet për personin në fjalë i cili tenton të ndryshojë vullnetin e njerëzve për interes të shefes.”– tha Doda.
Denoncime të ngjashme ka patur vazhdimisht gjatë këtyre ditëve. Edhe kandidati i LSI-së në Tiranë Klevi Pojana, denoncoi dy ditë më parë rastin se si ndaheshin ushqime të skaduara sipas tij nga marketi i deputetit socialist Vullnet Sinaj, te familjet në nevojë. Kjo në shkëmbim të votës në zgjedhjet e 25 Prillit.