Vendosni fjalën kyçe....

Ministri britanik i Shëndetësisë: Vaksina e Astra Zenecës është e sigurt, merreni sapo t’ju vijë mundësia


Vaksina e Universitetit të Oksfordit dhe kompanisë AstraZeneca është e sigurt, kështu ka thënë ministri britanik i Shëndetësisë, Matt Hancock.

Kjo deklaratë vjen pasi disa kombe evropiane ndaluan përdorimin e saj mes shqetësimeve për mpiksjen e gjakut.

Hancock u bëri thirrje njerëzve të “dëgjojnë rregullatorët” dhe të “marrin vaksinën” sa më shpejt që të kenë mundësinë.

“Ne i mbajmë nën vëzhgim efektet e këtyre vaksinave gjatë gjithë kohës dhe e dimë që vaksina e Oxford-AstraZeneca po shpëton jetë në Mbretërinë e Bashkuar tani, kështu që nëse merrni një telefonatë, merreni vaksinën.”- tha ai, citon BBC.

I pyetur nëse kishte pasur prova të njerëzve që refuzonin dozën e vaksinës pas pezullimeve evropiane, Hancock tha se kishte akoma “një numër të madh njerëzish që vaksinohen çdo ditë” dhe se “entuziazmi për marrjen e vaksinës është tepër i fortë”.

Rreth 13 vende kanë pezulluar përdorimin e vaksinës ndërsa kërkojnë sqarime të mëtejshme mbi sigurinë e saj. Por sipas rregullatorit britanik MHRA, provat “nuk sugjerojnë” se vaksina shkakton mpiksje të gjakut sikurse pretendohet.

Ndërsa rregullatori i BE-së (EMA), pritet të japë të enjten gjetjet e saj të hetimit në rastet e mpiksjes së gjakut tek njerëzit e vaksinuar. Megjithatë në një deklaratë të mëparshme edhe EMA tha se ishte ende “e bindur në mënyrë të vendosur” që përfitimet e vaksinës së AstraZenecës tejkalojnë rreziqet dhe se nuk kishte “asnjë indikacion” që vaksina shkakton mpiksjen e gjakut.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *