Vendosni fjalën kyçe....

Programshkruesit e partive e braktisja e diasporës shkencore


Nga Irena Beqiraj

Programshkrues, a keni menduar ndonjëherë si do të angazhojmë diasporën shkencore, apo thjesht doni të blini vota me ulje taksash edhe rritje rrogash ?

Shqipëria sot rreshtohet e 15-ta në botë me emigracionin më të lartë të individëve që kanë edukim tercial, doktoraturë. Shqipëria zë vendin parë në gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor për numrin e personave me grada shkencore që kanë studiuar dhe jetojnë jashtë.

Vetëm segmenti i shqiptarëve që jetojnë jashtë vendi, kanë marrë edhe janë duke marrë doktoraturën në vendet e OECD sot është rreth 2500 vetë. Për një vend të vogël si Shqipëria ky numër  është 25% më i lartë se potenciali akademik i vendit. Ne kemi fatin të kemi një diasporë shkencore të re, me moshë mesatare 37 vjeç, ku 72% e tyre janë më të rinj se 40 vjeç. 

Në keto të dhëna nuk janë përfshirë shqiptarët të cilët mbajnë tituj profesional dhe që punojnë në sektorin privat në botë. (financë, bankë, ligj, inxhinieri etj), ndryshe e quajtur diaspora profesionale.

Diaspora shqiptare, sidomos ajo shkencore dhe profesionale, ka qenë dhe është e paangazhuar, e paorganizuar dhe si rrjedhim, ka shumë pak impute në zhvillimin social, ekonomik dhe shkencor të vendit. Në këto 30 vite, kemi dështuar të ndërtojmë kanalet e nevojshme të komunikimit dhe bashkëpunimit për përfshirjen e tyre  aktive në mënyrë reale për zgjidhjen e  sfidave.

Kemi bërë samite ku kemi shpëndarë çmime dhe kemi recituar poezi, por kurrë nuk e kthyem vëmendjen nga mendjet e tyre të mençura. Koha ikën dhe bashkë me të edhe mundësia e artë që ofron Diaspora shkencore dhe profesionale sot. Diaspora e sotme në Londër, Tokio, New York ,Vjenë, Amsterdam, në katër anët e globit, duke gjerbur kafenë e mëngjesit, lexon të parat lajmet që vijnë nga atdheu i tyre i vogël, Shqipëria.

E quajnë veten qytetarë të Botës, por pazgjidhshmërisht të lidhur me  Shqipërinë. Secili prej tyre padyshim do të ndjehej më i sukseshëm, më i lumtur e më i  realizuar, nëse vendi i tyre do të prosperonte siç prosperon secili prej tyre, pavarësisht vendit ku jeton.

Duam apo nuk duam ne, kjo diasporë do të zëvendësohet nga bijtë e tyre të lindur  në mërgim, dëshmimtarë të përpjekjeve të dështuara të etërve të tyre për të krijuar lidhjet reale të nevojshme me atdheun dhe për atdheun. Si të tillë Shqipëria do të jetë vendi i rrëfenjave të fëmijërisë, por jo mendimi i çdo mëngjesi. Agroni, një studiues tjetër Shqiptar në SHBA dhimbshëm lutet:

“Kemi aq shumë për të ofruar! Sinqerisht, shpesh më vjen keq nga indiferenca e qeverive  për të mbështetur pjesëmarrjen tonë në sfidat e vendit dhe për ta përdorur këtë dëshirë të madhe tonën. Për fat të keq, dritarja e mundësive ngushtohet çdo vit, pasi fëmijët tanë këtu (brezi i ardhshëm) nuk kanë të njëjtën lidhje emocionale dhe shpirtërore me atdheun sa e kemi ne.”

Flisni për shkencën, dijen dhe inovacionin, flisni si do t’i bëjmë keto mendje teë mençura kontributore për vendin. U lodhëm duke na “blerë votën” me ulje taksash dhe rritje rrogash.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *