Vendosni fjalën kyçe....

Shefja e “UN Women”: Pandemia e COVID-19 është kriza më diskriminuese që kanë përjetuar gratë


Shefja e “UN Women” e ka konsideruar pandeminë e COVID-19 si “kriza më diskriminuese” që gratë dhe vajzat kanë përjetuar ndonjëherë.

Ajo ka treguar që gratë humbin punën shumë më shpesh sesa burrat, në një “pandemi hije” të dhunës në familje dhe me 47 milionë më shumë gra që shtyhen të jetojnë me më pak se 1.90 dollarë në ditë këtë vit.

Siç shkruan revista “Time”, Phumzile Mlambo-Ngcuka tha se bota gjithashtu po përballet me më shumë jetimë, me një rritje në martesën e fëmijëve, 59 përqind e grave raportojnë se duhet të kalojnë më shumë kohë në punët e shtëpisë që nga fillimi i pandemisë dhe një hendek dixhital mes gjinish duke lënë shumë gra të papërgatitura për të ardhmen.

Këto deklarata ajo i bëri në hapjen e takimit vjetor të Komisionit për Statusin e Gruas, tema e të cilit këtë vit ka të bëjë me pjesëmarrjen e grave dhe vendimmarrjen në jetën publike dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave.

“Dhuna ndaj grave në jetën publike është një pengesë kryesore për pjesëmarrjen e tyre politike dhe prek gratë e të gjitha moshave dhe niveleve, në çdo pjesë të botës.”– shtoi gjithashtu ajo.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres tha se çdo muaj rritet numri i dhunës ndaj grave – nga abuzimi seksual te martesa e fëmijëve.

“Dëmi është i pallogaritshëm dhe do të jehojë me dekada, në brezat e ardhshëm.”– tha ai.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *