Vendosni fjalën kyçe....

Shkelet afati për tunelin e Llogarasë


Nga Klodian Tomorri

Tenderi për tunelin e Llogarasë vishet me dyshime. Ndonëse e marta ishte afati i fundit ligjor për shpalljen e fituesit, që do të ndërtojë një nga veprat më të mëdha publike të inicuar nga qeveria e Edi Ramës, Ministria e Infrastrukturës në rolin e autoritetit kontraktor e shkeli ligjin.

Tenderi për ndërtimin e tunelit të Llogarasë u zhvillua në datën 1 mars me fond limit të paracaktuar prej rreth 155 milionë euro. Në garë u paraqitën 6 oferta, ku më e ulëta ishte ajo e kompanisë “Gjoka”, e cila ofroi që ta ndërtonte tunelin me një kosto prej 115 milionë euro ose 40 milionë euro më pak se fondi limit. Ndërsa ofertat e tjera varionin nga 126 deri në 160 milionë euro.

Tuneli i Llogarasë përbën një nga investimet më të mëdha publike në tetë vitet e qeverisë së majtë socialiste. Vetë kryeministri Edi Rama e ka shpallur ndërtimin e kësaj vepre si një nga prioritetet më të mëdha të qeverisë për të rigjallëruar ekonominë pas krizës dyfishe që shkaktoi tërmeti dhe pandemia e Covid-19.

Por vonesat në shpalljen e fituesit përtej afateve ligjore ngrenë pikëpyetje të mëdha. Ministria e Infrastrukturës në rolin e autoritetit kontraktor është treguar hermetike dhe nuk ka dhënë asnjë shpjegim publik për shkeljen e afatit ligjor duke shtuar edhe më shumë dyshimet se vonesat mund të mos jenë të rastësishme.

Gjatë viteve të fundit, tenderat e mëdhënj publikë kanë shkaktuar shpesh përplasje të forta mes grupeve të interesit brenda maxhorancës.

Si rezultat, në jo pak raste tenderat u janë dhënë jo ofertave më të ulëta, që maksimizojnë përfitimet për qytetarët dhe buxhetin, por kompanive që kanë lidhjet edhe lobimin më të fortë në qeveri.

Rasti më i fundit ishte prokurimi i katër rrugëve në fund të vitit të kaluar, që ishin mbikalimi i TEG-ut, rruga Palasë-Dhërmi, ajo Dukaj-Sinanaj-Tepelenë dhe lidhja e autostradës Milot-Morinë me aeroportin e Kukësit. Për këto katër vepra u shpallën fituese kompanitë që ofruan çmimet më të larta dhe për pasojë kostoja për qytetarët u rrit me 11 milionë euro krahasuar me ofertat më të ulëta.   

Në rastin e tunelit të Llogarasë, presioni mund të jetë edhe më i fortë, pasi janë në lojë shuma të më,dha oferta e dytë më e ulët ka mbi 10 milionë euro diferencë, ndërsa me kompanitë e tjera ajo shkon deri në 40 milionë euro.

Për këtë arsye, çdo përpjekje për të shpallur fituesin jo në bazë të shumës që ka ofruar por në bazë të kritereve të tjera më okulte do t’u kushtonte shtrenjtë taksapaguesve dhe buxhetit, madje më shtrenjtë se sa fondi total që qeveria jep në një vit për të gjitha familjet e varfra në ndihmë ekonomike.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e MCNTV


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *