Departamenti i Tregtisë i SHBA-së, ka njoftuar se do të zgjerojë kufizimet e eksporteve të Rusisë, dy javë pasi Uashingtoni bëri përgjegjëse Moskën për helmimin e figurës së opozitës Alexey Navalny.
Në një deklaratë të postuar në faqen e internetit të departamentit, Rusia u akuzua për ‘përdorimin e agjentëve të paligjshëm nervorë kundër disidentëve, si brenda dhe jashtë kufijve të saj’ në një shkelje ‘flagrante’ të angazhimeve të saj sipas Konventës së Armëve Kimike.
“Departamenti i Tregtisë është i përkushtuar për të ndaluar Rusinë nga qasja në teknologjitë e ndjeshme të SHBA-së që mund të përdoren në vperimtaritë e saj malinje të armëve kimike.” – thuhet në deklaratë. Kufizimet do të hyjnë në fuqi sot.
Më 20 gusht 2020, aktivisti anti-korrupsion Navalny u sëmur në një fluturim për në Moskë nga qyteti siberian i Tomsk. Pas një uljeje të detyruar emergjente në Omsk, një qytet tjetër rus, ai u dërgua në spital ku ra në koma. Disa ditë më vonë, me kërkesë të familjes së tij, ai u dërgua me aeroplan në Berlin, ku u kurua në Klinikën Charité.
Sipas mjekëve në Gjermani, figura e opozitës ishte helmuar me Novichok, një agjent nervor kimik.