Vendosni fjalën kyçe....

Agjencia Europiane e Barnave: Vaksina AstraZeneca e sigurt dhe efektive për përdorim


Agjencia Europiane e Barnave, EMA, thotë se ekspertët kanë arritur në përfundimin se vaksina AstraZeneca nuk është e lidhur me një rritje të përgjithshme të rrezikut të mpiksjes së gjakut dhe se përfitimet e përdorimit të saj i tejkalojnë rreziqet.

Gjetja nga Agjencia Evropiane e Barnave mund të hapë rrugën për vendet evropiane që kishin pezulluar përdorimin e vaksinës gjatë javës së kaluar, për të rifilluar shpërndarjen e saj.

Kreu i EMA-s, Emer Cooke, tha të enjten se agjencia ‘nuk mund të përjashtojë përfundimisht një lidhje’ midis llojeve të rralla të mpiksjes së gjakut dhe vaksinës, megjithatë ekspertët rekomandojnë ndërgjegjësimin midis mjekëve dhe marrësve të vaksinës mbi rreziqet e mundshme.

EMA rekomandoi shtimin e një përshkrimi të këtyre rasteve në fletëpalosjet e vaksinës, në mënyrë që punonjësit shëndetësorë dhe pacientët të ishin në dijeni të këtyre mpiksjeve të rralla të gjakut.

Por Cooke gjithashtu tha: “Pozicioni ynë shkencor është se kjo vaksinë është një mundësi e sigurt dhe efektive për të mbrojtur qytetarët kundër COVID-19. Ajo demonstroi se ka të paktën 60% efikasitet në provat klinike dhe parandalimin e sëmundjes së koronavirusit. Dhe në fakt, provat e botës reale sugjerojnë që efektiviteti mund të jetë edhe më i lartë se kaq.”

Vende të shumta evropiane kishin pezulluar përdorimin e vaksinës gjatë javës së kaluar mes shqetësimeve për mpiksjen e gjakut në disa duzina nga miliona njerëz të vaksinuar me formulën në të gjithë kontinentin.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *