Është gjetur i pajetë këtë paradite një trup në qytetin e Fierit. Sipas policisëa, bëhet fjalë për 29-vjeçarin Demokrat Medinaj, që akuzohet se vrau një ditë më parë me thikë bashkëshorten e tij 28-vjeçare Irvana Medinaj (Hyka) dhe që policia po e kërkonte.
“Sot rreth orës 10:20, në vendin e quajtur ‘Vija e ngjalës’, është gjetur pa shënja jete shtetasi D. M., 29 vjeç, banues në lagjen “Sheq i madh”, Fier, i cili ishte në kërkim nga Policia pasi pasditën e djeshme ka vrarë me mjet prerës(thikë), bashkëshorten e tij.
Nga kqyrja paraprake e kufomës nuk janë konstatuar shënja dhune.
Trupi i viktimës është transportuar në morgun e spitalit për t’iu nënshtruar një ekspertize mjeko ligjore më të specializuar.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.”– ka konfirmuar policia.
Sipas televizionit “News 24”, trupi i pajetë është gjetur në fushën e mbeturinave, në Fier, ndërsa ka dyshime që ai të jetë vetëvrarë.
Medinaj akuzohet se e vrau bashkëshorten e cila ishte në javën e gjashtë të shtatzënisë, duke e qëlluar me thikë në sy të dy fëmijëve të tyre. Ekspertët mjeko-ligjore zbuluan se gruaja e re ishte qëlluar 31 herë me thikë në të gjithë trupin.