Presidenti rus Putin i është përgjigjur atij amerikan Biden, që e quajti shefin e Kremlinit ‘një vrasës gjakftohtë’. Putin tha se Biden po fliste për veten e tij megjithatë i uronte atij shëndet.
Ai e uroi Biden që të jetë mirë pasi lideri amerikan e quajti atë një ‘vrasës’ dhe premtoi se Moska do të ‘paguante çmimin’ për ndërhyrjen në zgjedhjet e SHBA-së në vitin 2020 në favor të kundërshtarit të tij, Donald Trump.
Duke folur të enjten, Putini sugjeroi që Biden mund të jetë duke projektuar veten e tij, duke vënë në dukje se vlerësimi i vendeve të tjera ‘është si të shihesh në pasqyrë’.
“Kur ishim të vegjël thonim përherë: Ai që shan, është i sharë. Ato gjëra që ja thua tjetrit, i ke për vete.” – tha Putin.
Të mërkurën, presidenti amerikan Biden u pyet nga drejtuesi i ‘ABC News’, George Stephanopoulos nëse ai mendonte se Putini ishte ‘një vrasës’, dhe ai u përgjigj duke thënë ‘po’.
Ai gjithashtu vuri në dukje se e kishte paralajmëruar presidentin rus se Uashingtoni do të reagonte fuqishëm nëse zbulonte prova të ndërhyrjes në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.
Më vonë atë ditë, Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, refuzoi të sqarojë nëse deklarata e Biden ishte një metaforë.
Në përgjigje, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov e përshkroi deklaratën e Biden si ‘shumë të keqe’, duke akuzuar Shtëpinë e Bardhë se nuk ishte serioze në lidhje me ‘krijimin e një marrëdhënieje’ me Moskën.
Në fillim të kësaj jave, një raport i përbashkët nga agjencitë e spiunimit të Uashingtonit, pretendonte se Moska kishte drejtuar një fushatë për të ‘denigruar’ reputacionin e Biden gjatë zgjedhjeve presidenciale të SHBA-së. Kjo akuzë është mohuar nga Kremlini.
Deklaratat e fundit të Biden përfaqësojnë një përshkallëzim të madh në marrëdhëniet tashmë të përkeqësuara midis Rusisë dhe SHBA-së. Të mërkurën në mbrëmje, Moska tërhoqi ambasadorin e saj në Uashington, Anatoly Antonov, për të diskutuar hapat e ardhshëm të Kremlinit.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e RT