Shefi krijues i Lojërave Olimpike të Tokios ka dhënë dorëheqjen pasi ofendoi një komediane. Siç shkruan BBC, Hiroshi Sasaki e quajti aktoren Naomi Watanabe “Olimpig” nga fjala “pig” në anglisht që do të thotë derr.
Ai sugjeroi që aktorja e humorit të paraqitet në ceremoninë e hapjes së lojërave e veshur me veshë derri.
Por pas kritikave që ka marrë, Sasaki ka kërkuar falje duke i quajtur komentet e tij “një fyerje të madhe” për të.
“Kishte një shprehje shumë të papërshtatshme në idetë dhe vërejtjet e mia.”– tha Sasaki në një deklaratë të publikuar përmes komitetit organizues të Lojërave. “Unë sinqerisht i kërkoj falje asaj dhe njerëzve që janë shqetësuar nga përmbajtje të tilla.”
66-vjeçari, i cili është përgjegjës për ceremonitë e hapjes dhe mbylljes Olimpike, i kishte bërë sugjerimet vitin e kaluar përmes një bisede në grup në aplikacionin Line të mesazheve. Propozimi u refuzua menjëherë nga kolegët e tij, të cilët i thanë se ishte i papërshtatshëm.
Por një revistë publikoi mesazhet këtë javë dhe ai u detyrua të jepte dorëheqjen.
Watanabe, është një nga aktorët e humorit më të famshme të Japonisë dhe është e njohur për imitimet që u bën artistëve të njohur.
Kjo vjen një muaj pasi ish-presidenti i Lojërave Yoshiro Mori u detyrua të hiqte dorë pasi kishte bërë vërejtje seksiste.