Gruaja që u vra ditën e djeshme nga bashkëshorti në qytetin e Fierit, është Irvana Hyka, 28-vjeç. Sipas “Shqiptarja.com” autori i cili dyshohet se është bashkëshorti i saj Demokrat Medinaj, e ka qëlluar atë disa herë me thikë, duke i shkaktuar plagë të thella në të gjithë trupin.
Ai u largua menjëherë pas krimit nga vendngjarja.
Ngjarja e rëndë ndodhi në banesën e tyre në lagjen “Sheq i madh” rreth orës 17:20 të pasdites së djeshme.
“Pasditen e sotme rreth orës 17:20 në lagjen ‘Sheq i Madh’ në banesë 29-vjeçari me inicialet D.M. pas debatit të fortë në familje ka goditur me thikë disa herë gruan e tij me inicialet I.M.
Goditjet kanë qenë fatale për gruan që ka ndërruar jetë në vend. Policia njofton se ka ngritur pika kontrolli në hyrje dalje të qytetit dhe po punohet për kapjen e autorit i cili është larguar nga vendngjarja.
Policia deklaron se grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”-thuhet në njoftimin e policisë.
Krimi i rëndë ndodhi në sy të dy fëmijëve të mitur. Familjarët kanë lajmëruar se 28-vjeçarja do të përcillet për në banesën e fundit, ditën e premte rreth orës 10:00 të paradites.