Vendosni fjalën kyçe....

Nisma#Thurje denoncon presionet: Dy javët e fundit 15 kandidatë tanët kërkojnë të tërhiqen, po kërcënohen po s’ndalemi


Nisma Thurje ka denoncuar presionet që u bëhen kandidatëve të saj në mbarë vendin.

Në një reagim në Facebook, Nisma thekson se që prej ditës kur ajo ka prezantuar 153 kandidatët për zgjedhjet e 25 prillit, ndaj tyre kanë nisur presionet që nuk janë bërë publike.

Sipas saj,  veëm dy javët e fundit, 15 kandidatë të saj që i kishin plotësuar formularët kanë kërkuar të tërhiqen për shkak të presioneve ndaj tyre apo familjarëve të tyre.

“Kush ka frikë nga Nisma Thurje? Në këto zgjedhje Nisma Thurje prezantohet me 153 kandidatë, të cilët u përzgjodhën nga mijëra kandidatura të sugjeruara. Po ta shohësh listën tonë, do shohësh se aty përfaqësohet ajo pjesë e shoqërisë, e cila sot mban mbi supe me taksa një grup oligarkësh, bashkë me politikanët që vijnë me çetat e militantëve. Mirëpo që kur i kemi prezantuar ndaj kandidatëve tanë kanë filluar presionet, të cilat deri më sot nuk i kemi bërë publike. Vetëm dy javët e fundit, 15 kandidatë të cilët kishin plotësuar formularët e kandidimit, kanë kërkuar të tërhiqen për shkak të presioneve ndaj tyre apo ndaj familjarëve të tyre. Kryesisht kërcënimet kanë qënë të lidhura me vëndin e punës, por ka raste si Dibra, ku presioni ka qënë fizik duke na krijuar vështirësi të jashtëzakonshme.” – thuhet në reagimin e saj.

Më tej Nisma Thurje sqaron çështjen e kandidatit të saj për Dibrën, Selim Lela, i cili është përzgjedhur për atë që përfaqësonte. Po kështu në reagim theksohet se ndaj Lelës janë bërë presione e kërcënime, madje edhe te faqja e Nismës në Facebook, duke e detyruar atë që të tërhiqet nga gara.

“Rasti më i fundit është presioni ndaj kandidatit të renditur i 5-ti në listën shumëemërore të Dibrës, ku Nisma Thurje garon me 6 kandidatë. Grupi i Dibrës e përzgjodhi Selimin si kandidat, për shkak të historisë që ai përfaqësonte, të një të riu, bir minatori, që nuk e donte punën në minierë, por në atë zonë nuk ka mbetur asnjë alternativë më e mirë për të rinjtë. Megjithëse e dinte sa e vështirë ishte, Selimi guxoi të kandidojë për deputet (foto më poshtë), një ëndërr që politika e 30 viteve është përpjekur tua mohojë fëmijëve të populit. Selimi ka patur synimin për të çuar në Parlament statusin e minatorit, dhe të luftojë me ata që i falin rentën minerare oligarkëve të kromit. Mirëpo, pas publikimit të kandidaturës, Selimi na njoftoi se i filluan kërcënimet, një pjesë e të cilave u drejtuan edhe tek faqja e Nismës Thurje në Tiranë (shiko fotot më poshtë). Këto kërcënime e bënë atë të kërkojë të heqë dorë nga gara për këto zgjedhje, dhe nga ëndrra e tij për të përfaqësuar në mënyrë direkte komunitetin ku ai bën pjesë.” – vijon reagimi i Nismës.

Sipas Nismës, situata më Bulqizë është e stisur për t’u paraqitur si përplasjes me kandidatit të pavarur Elton Debreshi e Selim Lelës por në fakt nuk është e tillë duke shprehur mbështetjen për minatorët e qytetit. Ajo shton se beteja e saj është me oligarkët e politikanët që po varfërojnë vendin.

“Siç duket ata i tremb më shumë mandati i Selimit, se sa mandatet e Xhelalit, Lalës apo Hajriut. Ata nuk kanë frikë nga kandidatët e partive të vjetra, të cilët votat i marrin në Dibër, por jetën e bëjnë nëpër kodrat e Tiranës, por tremben nga njerëzit e panjohur, sepse ata janë të paparashikueshëm.

Ka një dorë që përmes një skeme të koordinuar, po përpiqet ta paraqesë këtë situatë si një konflikt mes dy minatorëve, dhe jo si një përballje mes atyre që rrezikojnë jetën në minierë, dhe atyre që ngrohen në diell nëpër kodrat e Tiranës. Jo, kjo betejë nuk është mes atyre që vuajnë njësoj në minierë, por mes atyre që nuk kanë më asgjë, dhe atyre që kanë shumë për të humbur.  Jo, Selimi nuk e ka këtë betejë me Eltonin apo minatorët e tjerë, të cilët i kemi mbështetur dhe do të vazhdojmë t’i mbështesim. Ne e kemi këtë betejë me oligarkët dhe politikanët që po varfërojnë një Shqipëri të tërë, përmes konçesioneve dhe monopoleve, që janë bërë përmes ligjeve me porosi.” – thuhet më tej.

Në fund Nisma Thurje thekson se nuk ka ndërmend të ndalet në betejën e saj politike dhe se nuk ka asnjë kërcënim apo skemë që i tremb dhe i dekurajon. Në fund të reagimit thuhet gjithashtu se projektligji për Statusin e Minatorit do jetë i dyti që do dërgohet në Kuvend prejt saj.

“Por ne nuk kemi ndërmënd të ndalemi në këtë betejë që kemi nisur që prej vitit 2014, dhe nuk ka kërcënim apo skemë që na dekurajon në këtë rrugë që kemi nisur. Ata mund të bëjnë ç’të duan, por pika e parë e Kartës 2020 vazhdon të jetë ‘kombëtarizimi i burimeve natyrore të shqiptarëve’. Prandaj ky do jetë projektligji i parë që do të çojmë në Parlament. Minierat që na janë marrë sot do t’i kthehen sërish shoqërisë, dhe minatorët që skllavërohen sot, do ta rifitojnë sërish lirinë. Prandaj edhe projektligji i dytë që do të çojmë në Parlament do të jetë për statusin e minatorit, për t’i dhënë mbrojtje minatorëve si Naimi (babai i Selimit) si Eltoni, si Ylli Gjura, apo si dhjetra minatorë që kanë rrezikuar jetën e tyre mijëra metra nën tokë, për të nxjerrë prej aty një pasuri të cilën ata nuk e gëzojnë dot, sepse ua kanë marrë. Prandaj, duam t’i kujtojmë ata që janë mësuar të kontrollojnë listat e partive të vjetra, se ata mund të tentojnë të trembin një apo më shumë kandidatë, por nuk do të mundet dot kurrë të trembin një popull të tërë, i cili ka filluar të zgjohet.” – mbyllet reagimi i Nisma Thurje në Facebook.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *