Vendosni fjalën kyçe....

Presidenti Meta: E rrezikshme dhe kriminale që trajtohen të infektuarit nga koronavirusi me oksigjen të tregut të zi


Presidenti i vendit Ilir Meta ka reaguar lidhur me tregun e zi të shitjes së oksigjenit, që sipas disa medieve po lulëzon në këtë kohë pandemie.

Meta e konsideron të pafalshme mostrajtimin e të sëmurëve me oksigjen, duke i lënë ata në mëshirën e atyre që e ofrojnë këtë shërbim në tregun e zi.

Ai thotë që nuk duhet të pritet shtrimi në spital, por trajtimi me oksigjen të bëhet dhe nga mjeku i familjes në mënyrë të certifikuar.

“Mostrajtimi me oksigjen i të prekurve nga koronavirusi dhe lënia e tyre në mëshirën e spekulantëve të tregut të zi është e pafalshme. Rëndimi i situatës shëndetësore të shumë të sëmurëve deri në kërcënim të jetës, i detyrohet mostrajtimit të tyre në kohë me oksigjen.

Për këtë është këmbëngulur, që trajtimi me oksigjen teknikisht të çertifikuar të kryhet nga mjeku i familjes dhe të mos pritet shtrimi në spital. Edhe projektet ndërkombëtare të ndihmës anticovid kanë synuar pikërisht këtë: Trajtimin sa më parë nga shërbimi mjekësor parësor me oksigjeno-terapi të të sëmurëve.”– shkruan Meta.

Ai e konsideron të rrezikshme dhe kriminale tregtimin e oksigjenit në të zezë dhe kërkon vënienn e përgjegjësve përpara ligjit.

“Është e rrezikshme dhe kriminale, të trajtohen të sëmurët me oksigjen të paçertifikuar dhe pajisje, që u shiten në treg të zi familjeve deri në 5 herë më shumë se vlera e tregut.

Të ndalet kjo kontrabandë e shëmtuar dhe e rrezikëshme për shëndetin publik.

Përgjegjësit para ligjit!”- përfundon mesazhi i Metës.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *