Qeveria shqiptare premtoi transparencë maksimale për përdorimin e fondeve të rindërtimit të pasojave të tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit 2019, por tani kur kanë kaluar 14 muaj nga ngjarja nuk ka evidenca të sakta, përveç faktit se fondet po shpenzohen me ritme shumë më të ulëta se planifikimi.
Vitin e kaluar sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave u shpenzuan 57% e fondeve të programuara, vetëm 16,6 miliardë lekë nga 29 miliardë të planifikuara. Dobësitë kanë vijuar edhe në janarin e këtij viti. Ministria e Financave në një raport të detajuar për shpenzimet buxhetore bëri me dije se janë përdorur vetëm 6 milionë lekë nga 800 milionë lekë të programuara ne janar, ose më pak se 1% e planit. Ky realizim i përket Qeverisjes Vendore.
Në të kundërt, shpenzimet kapitale gjatë këtij muaji ishin në nivelin e 963 milionë lekëve ose 142 për qind mbi planin e shpenzimeve të janarit.
Në një udhëzim të posaçëm Ministria e Financave urdhëroi që fondet e akorduara për rindërtimin (korente dhe kapitale), të cilat rezultojnë të pashpenzuara në fund të vitit buxhetor 2020, trashëgohen në vitin 2021 dhe përdoren për të njëjtin qëllim. Nga viti i kaluar u trashëguan për përdorim këtë vit 12.4 miliardë lekë. Gjithsej fondi për rindërtimin më 2021 është 28 miliardë lekë. Gjatë muajit janar shihet se realizimi ishte shumë i dobët në raport planin e periudhës dhe fondet totale të rindërtimit. Ministria e Financave ka sqaruar se nëse fondet e planifikuara nuk realizohen as këtë vit ato autorizohen për përdorim gjatë vitit 2022.
Fondi i këtij viti prej 28 miliardë lekësh do të përdoret për të përballuar kostot për projektet e miratuara dhe të pafinancuara të vitit 2020 (fonde të mbartura nga viti 2020) si dhe projektet e reja me vendim të Këshillit të Ministrave.
Zbatimi i planit të financimit hasi vështirësi për shkak të parapërgatitjeve në terren me gjetjen e tokave dhe planifikimin urban që shtyu procedurat e tenderimeve dhe investime në terren.
Sipas planit zyrtar të qeverisë për rindërtimin totali i nevojave për rimëkëmben pas tërmetit kërkon financimin e një shume prej 123 miliardë lekësh, rreth 1 miliardë euro. Kjo shumë planifikohet të financohet deri në vitin 2025 me 300 milionë euro, ose 30% të totalit, nga fondet buxhetore të qeverisë shqiptare, dhe pjesa tjetër prej 700 milionë eurosh nga donatorët dhe OJF-te të ndryshme, që janë angazhuar në këtë proces.
Vlerësimet zbulojnë se efekti i përgjithshëm i katastrofës në 11 bashki arriti në 985.1 milion euro (121.21 miliardë lekë), nga të cilat 843.9 milionë euro përfaqëson vlerën e aseteve të shkatërruara fizike dhe 141.2 milionë euro humbje indirekte.
VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al