Vendosni fjalën kyçe....

“3 përballë 1”- A u manipulua përplasja Boçi-Luca? (Disa deklarata kontradiktore)


Pasditen e djeshme ndodhi një përplasje fizike mes një kandidati për deputet, Luçiano Boçit dhe një biznesmeni në ambientet e jashtme të një lokali në Labinot. Dhe kjo në prag të zgjedhjeve të 25 Prillit.

Shumë zhurmë po bëhet mbi këtë incident të pazakontë, mbi të gjitha pas videos që qarkulloi më vonë në rrjetet sociale.

Çfarë ka ndodhur? E nisim nga fillimi…

Kush rrahu kë?

Përgjigje kësaj pyetje nuk i japim dot me siguri. Të dy u rrahën me njëri-tjetrin. Ama mund të krahasojmë deklaratat e dy palëve të përfshira.

Kandidati i PD-së në Elbasan, Luçiano Boçi, i cili ndodhej dje në Labinot për një takim me përfaqësues të partisë së tij, denoncoi publikisht i pari një biznesmen të zonës se e kishte sulmuar fizikisht.

Madje Boçi tregoi edhe se si ishte i gërvishtur në qafë.

Luca nga ana tjetër reagoi në një deklaratë për mediet, ku u tha gazetarëve se “Unë jam i dhunuari. Për Zotin unë kam një shenjë që me ta kallëzuar që po vazhdon me këtë telefonin e kuq në dorë, mbase nuk do të vijë mirë.”

Ndërsa në një deklaratë tjetër të sotmen, vetë Boçi pranoi se biznesmeni ishte rrahur: “Ai erdhi të më rrahë dhe iku i rrahur.” Një video që ka qarkulluar në rrjet tregon biznesmenin Luca duke marrë disa goditje nga shoqëruesit e Boçit.

“Isha i vetëm”

Ish-deputeti demokrat Luçiano Boçi në të parën deklaratë të tij tha se ishte i vetëm në momentin që është sulmuar nga biznesmeni.

“Unë isha i vetëm, kur ai bashkë me disa roje të tij erdhi dhe më sulmoi. Bënte skena sikur ishte i armatosur, dhe sillej si një bandit.”– shprehej Boçi. Ndërkohë Luca kundërreagoi në një deklaratë për mediet duke thënë se i sulmuari ishte ai, e madje në një përballje “3 me 1”.

Por një video që qarkulloi më vonë në rrjet, zbuloi se Boçi nuk kishte qenë aspak i vetëm, përkundrazi shoqërohej nga nipi dhe një mik i tij. Pra një përballje 3 me 1, ku pala e vetme nuk ishte kandidati për deputet.

Si e justifikoi Boçi këtë? Duke dalë në një tjetër deklaratë e duke u shprehur se videos i mungonte momenti kryesor, momenti i parë kur nis përplasja dhe kur “biznesmeni e sulmon atë i pari”.

Kush e vodhi telefonin?

Ngjarja u duk sikur u manipulua, pati akuza e kundërakuza por një detaj për të cilin po diskutohet shumë është:”I kujt është telefoni që bie në tokë?”.

I pari që përmend telefonin është biznesmeni Gjergj Luca, ku në deklaratën e tij për mediet thotë se Boçi i ka vjedhur telefonin: “Ai ishte duke folur me një njeri, unë po hyja të pija kafe dhe më e bukura është se më kanë grabitur telefonin, më ra telefoni në tokë dhe ma kanë marrë, nuk ma japin.”

Dhe videoja që qarkulloi më vonë tregon një telefon që bie përtokë dhe që e merr pikërisht Boçi. Mirëpo ky i fundit doli sot në një tjetër deklaratë për mediet, ku tha se telefoni kishte qenë i tiji dhe se i ka rënë gjatë përplasjes: “Në video shihet një telefon i imi, i cili ka rënë në tokë dhe unë e kam rimarrë atë duke ma dhënë njeriu që ishte më afër. Njeriu me të cilin po bisedoja, u ul e mori dhe ma dha. Gjergj Lluca ka prodhuar alibinë qesharake të vjedhjes së telefonit për të mbuluar krimin e tij.”

Në fakt në video është e paqartë se cilit prej të dyve i bie celulari./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *