Vendosni fjalën kyçe....

Meta dekreton emrat e 4 gjyqtarëve për në Gjykatën e Lartë: Nëse KLGJ do ndjekë këtë ritëm trupa do plotësohet në 2024


Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka dekretuar emrat e propozuara nga Këshilli i Lartë Gjyqësor për në Gjykatën e Lartë.

Sokol Binaj, Albana Boksi,  Sandër Simoni dhe Klodian Kurushi emërohen gjyqtar të Gjykatës së Lartë.

Së bashku me këto 4 (katër) emërime të reja, Gjykata e Lartë, nga sot bëhet me 7 (shtatë) anëtarë, nga 19 anëtarë, që duhet të ketë, sipas vendimmarrjes së KLGJ-së.

Ka kaluar plot 1 (një vit) nga momenti i propozimit nga KLGJ, të emërimit të 3 anëtarëve të parë në Gjykatën e Lartë. Nëse KLGJ do të ndjekë këtë ritëm, atëherë Gjykata e Lartë do të plotësohet me të gjithë trupën gjyqësore në mars të vitit 2024!

Kjo gjendje është e papranueshme për Presidentin e Republikës dhe duhet t’i shqetësojë të gjithë.

Presidenti i Republikës vlerëson të risjellë edhe njëherë në vëmendje të anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të gjithë institucioneve të tjera të përfshira në këtë proces, se bërja sa më shpejt dhe plotësisht funksionale e Gjykatës së Lartë është me rëndësi jetike për vendin dhe lidhet direkt me integrimin europian dhe stabilitetin e Shqipërisë dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Plotësimi me të gjithë trupën e nevojshme gjyqësore të Gjykatës së Lartë duhet të jetë prioriteti kryesor i Këshillit të Lartë Gjyqësor, pasi lidhet drejtpërdrejt jo vetëm me mirëfunksionimin e sistemit gjyqësor, respektimin e të drejtave e lirive themelore të njeriut dhe ruajtjen e stabilitetit ekonomiko-financiar të shtetit Shqiptar, por nga ana tjetër përbën një çështje jetike për të ardhmen europiane të Shqipërisë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *