Vendosni fjalën kyçe....

Sherri në Labinot, Taulant Balla: Basha ta përjashtojë Luçiano Boçin nga lista e kandidatëve


Kreu i grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla, ka reaguar lidhur me përplasjen e djeshme mes kandidatit demokrat për deputet Luçiano Boçi dhe sipërmarrësit Gjergj Luca në Labinot.

Balla i kërkon kreut të PD-së Lulzim Bashës, që të përjashtojë Boçin nga lista e kandidatëve për deputetë dhe të distancohet nga ky incident.

Po ashtu ai thotë se mosreagimi nga ana e Bashës, dëshmon sipas tij se kryedemokrati ka si program dhunën dhe grabitjen e sipërmarrjes.

“Shpreh indinjatën dhe dënoj dhunën e ushtruar nga kandidati i Lulezim Bashës ndaj sipërmarrësit të nderuar Gjergj Luca. Nuk reagova deri më tani duke pritur që Lulzim Basha të marrë masën e përjashtimit të agresorit Luciano Boçi nga lista e kandidatëve dhe distancimit nga ky akt dhune i përsëritur.

Pamjet tregojnë qartë politikanin dhunues, madje dhe si një bandë grabitësish i marrin dhe telefonin në pronësi të zotit Luca. Këto veprime të Partisë Demokratike të instrumentalizuara edhe me përfshirjen e 2-3 ish-punonjësish të inkriminuar policie, nuk ndihmojnë në zhvillimin e një fushate zgjedhore të qetë, ku duhet tu lemë mundësinë qytetarëve të zgjedhin mes ekipeve dhe programeve tona. Mosmarrja e asnjë hapi dhe ndjese nga Lulzim Basha tregon se ai njelloj si babai i tij Sali Berisha ka program dhunën dhe grabitjen e sipërmarrjes, Zoti Luca punëson 3 mijë punonjës në Shqipëri dhe është një sipërmarrës i respektuar. I bëj thirrje qytetarëve të Elbasanit të mos bien pre e provokimeve të gaztorëve të Lulezimit me kompani, që frymëzohen nga Ilir Meta dhe Sali Berisha.”- shkruan Balla ndërsa publikon një video nga incidenti.

Ditën e djeshme ish-deputeti i PD-së,  Luçiano Boçi e denoncoi biznesmenin Gjergj Luca se e kishte kërcënuar me jetë e sulmuar fizikisht pas një takimi me mbështetësit e tij në Labinot.

Boçi publikoi edhe disa foto ku tregonte dëmtimin e marrë gjatë goditjes nga ana e Lucës ndërsa e kallëzoi këtë të fundit në prokurori.

Ndërsa Luca e quajti Boçin një “politikan rrugaç” duke thënë se ky i fundit e ka provokuar sherrin që ndodhi. Madje e akuzoi atë se i kishte vjedhur telefonin. Më vonë qarkulluan dhe pamje në video nga incidenti mes tyre.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *