Vendosni fjalën kyçe....

Pse u shemb materniteti “Mbretëresha Geraldinë”


Pasditen e sotme fadromat nisën të prishin muret e maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” që ndodhet në Bulevardin Zog I në Tiranë.

Ndërhyrja në godinën e shpallur Monument Kulture i Kategorisë II ishte lajmëruar që në fillim të nëntorit të vitit 2019, me Ministrinë e Shëndetësisë që kishte vënë në dispozicion rreth 90 milionë lekë të reja për ndërhyrjen.

Rreth tre javë më pas, tërmeti i 26 nëntorit 2019, shkaktoi dëme të një pjesë e godinave dhe qeveria vendosi rikonstruksionin e plotë të godinave duke i shtuar projektit edhe një ndërtesë të re trekatëshe, në një projekt rreth 4 milionë euro.

Në fillim të marsit, kreu i qeverisë publikoi një video në Facebook, ku tregonte fillimin e punimeve për nisjen e projektit si dhe pamjet e maternitetit pas rikonstruksionit, teksa theksonte se rindërtimi do bëhej për shkak të dëmtimit të godinës nga tërmeti i 26 nëntorit.

Materniteti “Mbretëresha Geraldinë” është ndërtuar në vitin 1940 ndërsa projekti i tij është bërë nga arkitekti italian Tito Chiomi dhe është pjesë e ndërtimeve të ndërtuara në vitet ’30 – ’40 nga italianët, ku bën pjesë edhe ansambli i ministrive e Teatrit Kombëtar bashkë me atë Eksperimental, gjithashtu të prishur më 17 maj 2020.

Projekti për rikonstruksionin e godinave të maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” është bërë nga Instituti i Ndërtimit, që asokohe drejtohet nga Agron Hysenlliu, i cili humbi jetën nga Covid-19 më 15 nëntor 2020. Është i njëjti institut, që bëri edhe vlerësimin e Teatrit Kombëtar duke mbrojtur prishjen e godinës së tij.

Zbatimi i projektit për rikonstruksionin e maternitetit dhe ndërtimin e një godine të re tre katëshe, do bëhet nga kompanitë Agikons e BE-IS, ndërsa mbikëqyrja e punimeve nga kompanitë Atelier 4 e ArchiMED SPS. Punimet do zgjasin 3 vite ndërsa vlera e përgjithshme e projektit kap shifrën e rreth 4 milionë eurove (466.395.123 lekë të reja).

/Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *