Redaktorja e re e revistës “Teen Vogue” Alexi McCammond është detyruar të japë dorëheqjen më pak se dy javë pasi ishte emëruar në këtë post, kjo për shkak të disa postimeve që kishte bërë në rrjetet sociale kundër aziatikëve.
Në një nga postimet e saj të rishfaqura në rrjet, lexohej: “Duke kërkuar në Google se si të mos zgjohesh me sy të fryrë si të Azisë”.
Postimet në fjalë ishin shkruar në vitin 2011 dhe u rishfaqën pasi ajo u emërua si redaktorja e re më 5 mars. Është e paqartë nëse ajo e kishte filluar akoma punën. Më 9 mars, postimet u bënë virale dhe ajo nisi të kërkonte falje për to.
McCammon u lejua të vijonte punën, mirëpo punonjësit u shprehën të zemëruar për këtë dhe e kundërshtuan vendimin me arsyetimin se kjo përcjell mesazhin e gabuar në një kohë kur është regjistruar një rritje në numrin e sulmeve ndaj aziatikëve apo amerikano-aziatikëve në SHBA.
Ata gjithashtu u ankuan se redaktorja e re ishte e papërvojë, pasi nuk kishte punuar kurrë si redaktore apo si menaxhere më parë, dhe se kishte gra të tjera me ngjyrë brenda Conde Nast (që ka në pronësi revistën) që do të ishin më të përshtatshme për këtë punë.
Ka patur dy qëndrime të ndryshme pasi McCammond dha lajmin se ishte larguar nga puna, me një pjesë që e mbështesnin duke thënë se duhej të marrë fund gjykimi i personave për atë që kanë bërë që në adoleshencë, dhe të tjerë që e miratonin vendimin.