Vendosni fjalën kyçe....

Basha për postimin provokues të Vuçiçit: Deklaratë e shekullit të kaluar, dy parimet e politikës sime të jashtme


Kryedemokrati Lulzim Basha ka komentuar sot postimin provokues të presidentit serb Aleksandar Vuçiç të dy ditëve më parë, me hartën e Kosovës nën flamurin serb.

Në një intervistë për “News 24”, Basha e konsideroi postimin e Vuçiçit një deklaratë të shekullit të kaluar, ndërsa theksoi se politika e tij e jashtme do të udhëhiqet nga dy parime thelbësore: integrimi dhe konsolidimi i shtetësisë së Kosovës dhe anëtarësimi i saj në institucionet ndërkombëtare.

“Është fare e qartë që politika ime e jashtme do të udhëhiqet nga dy parime: nga Integrimi Europian i Shqipërisë, nga forcimi dhe konsolidimi i shtetësisë së Kosovës dhe anëtarësimi i saj në institucionet ndërkombëtare, si dhe ndihma ndaj Kosovës e pakursyer për integrimin e saj euroatlantik.

Çdo hap që hidhet në drejtim të të kaluarës, dëmton ata që e hedhin këtë hap. Kjo është ajo që shpreha dje, ndërkohë që Tirana Zyrtare dhe Edi Rama kishin qepur gojën.

Deklarata e presidentit Vuçiç, ishte një deklaratë e shekullit të kaluar, e cila dëmton klimën e stabilitetit dhe të përparimit të vendeve të rajonit dhe shkon në kundërshtim të plotë me aspiratat e popujve të rajonit për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.

Pavarësia e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm dhe Kosova e pavarur do të jetë me ndihmën e partnerëve tanë strategjik dhe me ndihmën e Shqipërisë dhe të qeverisë shqiptare nesër anëtare me të drejta të plota në NATO dhe në Bashkimin Europian.”- deklaroi sot Basha.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *