Nga fundi i nëntorit 2020 deri ditën e djeshme, Shqipëria numëron 18 vrasje, pjesa dërrmuese e të cilave kanë qenë ekzekutime. Këtu nuk llogariten plagosjet e ndodhura në vend, me tre të tilla 24 orët e fundit.
Teksa në datën 10 dhjetor 2020, ministrat e Brendshëm të qeverisë Rama i lanë stafetën njëri-tjetrit, Çuçi zëvendëson Lleshajn, situata e rendit në vend duket jashtë kontrollit.
Ekzekutimi mëngjesin e djeshëm në Durrës i Mond Çekiçit, që u qëllua me breshëri automatiku, u pasua nga plagosja e dy vëllezërve në Shkodër, që fatmirësisht nuk çoi në viktima.
Nga fundi i nëntorit 2020 deri në datën 31 dhjetor 2020, në vend janë shënuar 13 viktima nga vrasjet në vend, me pjesën më të madhe të tyre që kanë qenë ekzekutime.
Pas marrjes së detyrës, ministri i ri i Brendshëm Çuçi, prezantoi një sondazh mbi punën e institucionit që drejton duke mos i fshehur lavdërimet e vlerësimet, ndërkohë që vendi numëron një numër të lartë ekzekutimesh mafioze, sidomos muajt e fundit.
Muaj më parë, kryeministri Rama teksa u pyet mbi vrasjet e krimin e organizuar në vend tha: “Hëngshin kokat e njëri-tjetrit!”
Lista kronologjike e vrasjeve në vend
28 nëntor 2020 – Në fshatin Dajç të Shkodrës është ekzekutuar me 30 plumba automatiku Ridvan Ramazani.
1 dhjetor 2020 – Vritet në Vlorë 25-vjeçari Faslli Bezhani.
5 dhjetor 2020 – Vritet në Shkodër polici i FNSH-së, Xhulio Prela
8 dhjetor 2020 – 25-vjeçari Klodian Rasha vritet nga efektivi i policisë në detyrë, Nevaldo Hajdëraj
10 dhjetor 2020 – Dy vëllezërit Martin dhe Andrea Olldashi, u gjetën të vrarë me plumb pas shpine dhe të groposur brenda një kanali ujitës në Korçë.
16 dhjetor 2020 – Humb jetën në spital pas një atentati Anton Keli, djali i hallës së Armando dhe Preng Gjinit.
17 dhjetor 2020 – Në Berat vritet me kallashnikov Ajet Guneli
17 dhjetor 2020 – Vritet në Dibër gjatë gjuetisë Gentian Kosiqi
1 janar 2021 – Vladimir Zvezhda vritet nga kunati i tij, Klajdi Shundi në Tiranë
2 janar 2021 – Dy motrat, Kristina Bardhi e Zhaneta Metani ekzekutohen në banesën e njërës prej tyre në Astir, Tiranë.
24 janar 2021 – Qëllohet për vdekje në Durrës Edmir Begu alias Ilir Kuçi
1 shkurt 2021 – Ekzekutohet me dy plumba në Fier Shkëlzen Kastrati
25 shkurt 2021 – Behar Sofia vritet me dy plumba pranë Piramidës në Tiranë
3 mars 2021 – Vritet në Vlorë Tauland Beqiraj (Gjika)
17 mars 2021 – Vritet në banesë me thikë nga bashkëshorti, Irvana Hyka (Medinaj)
20 mars 2021 – Edmond Koçi alias Mond Çekiçi ekzekutohet në Durrës me breshëri automatiku