Në barazim pa gola ka përfunduar ndeshja më e rëndësishme e kësaj jave në Superligën shqiptare, ajo mes Partizanit e Teutës, dy nga ekipet pretendente për titullin kampion.
Më herët u luajtën katër ndeshjet e tjera ku Vllaznia arriti të përfitojë nga hapi fals i Laçit për t’u rikthyer në krye të renditjes.
Shkodranët fituan ndaj Kastriotit ndërsa laçjanët e lëshuan kreun pas humbjes me kampionët në fuqi të Tiranës. Në ndeshjet e tjera, Kukësi u mund prej Bylisit ndërsa Skënderbeu arriti të fitojë ndaj rivalëve të Apolonisë në Fier.
Pas javës së 25-të të kampionatit, kreu mbahet nga Vllaznia që ndiqet këmba-këmbës nga Laçi, Teuta e Partizani. Në fundin e renditjes Apolonia e Skënderbeu duken në pozita tejet të vështira e bashkë me Bylisin janë tre ekipet që do luftojnë për mbijetesë.