Vetëm një muaj para zgjedhjeve parlamentare të 25 Prillit, kreu i PD-së Lulzim Basha, ka botuar librin e tij të parë.
Libri me titullin “Misioni Im” ka një mesazh për shqiptarët nga kryedemokrati. Si kopertinë për librin, Basha ka zgjedhur një foto të tijën.
“Në prag të zgjedhjeve të 25 prillit 2021, në ftesën publike për të votuar kandidaturën e tij për kryeministër dhe për të sjellë ndryshimin në Shqipëri, Lulzim Basha sjell këtë letër të hapur drejtuar gjithë shqiptarëve.
Në të qasjet e tij personale mbi jetën politike në vend dhe zhvillimet e opozitarizmit nën drejtimin e tij; lidhjet e tij familjare e personale dhe historikun e përfshirjes së tij në politikën aktive në vend; tezat mbi gjendjen e ekonomisë sot dhe mënyrën për të dalë nga kolapsi; nevojën akute për të shmangur instalimin e një diktature përmes uzurpimit të institucioneve më të rëndësishme shtetërore, kërcënimit të medias, mercenarizimit të administratës dhe formave të tjera të presionit politik; idetë mbi ndryshimin e sjelljes politike e të kthimit të mjedisit politik e publik në qetësinë dhe normalitetin europian; thirrjen për të bashkuar ëndrrat dhe dëshirat e çdo shqiptari për një rimëkëmbje të vërtetë kombëtare: ekonomike, kulturore, shpirtërore, me po atë forcën ndryshuese që shpesh shqiptarët kanë treguar se dinë të bëjnë.
Lidhjet e tij familjare e personale me Kosovën, i japin këtij traktati një frymë kombëtare dhe shpjegojnë idetë e tij se si duhet t’i qasemi çështjes kombëtare, jashtë nacionalizmit të zbrazur e për t’i kthyer shqiptarët në kontribuuesit e vyer në rajon dhe në Europë.”– thuhet në mesazhin e kryedemokratit në libër, në pjesën e pasme të kopertinës.
Publikimi i këtij libri është bërë në 22 mars, një datë e rëndësishme për PD-në pasi shënon fitoren e parë të kësaj force politike 29 vite më parë.