Një emër i pestë ka dalë në skenë lidhur me ekzekutimin e Behar Sofias më 25 shkurt. Biznesmeni u qëllua me dy plumba përballë Piramidës në Tiranë nga 24-vjeçari Ernejt Shyti ndërsa bashkë me të janë ndaluar edhe tre persona të tjerë. Sipas dosjes së siguruar nga A2, prokuroria ka një emër të pestë, i cili rezulton se është takuar me Skënder Vathin.
Sipas organit të akuzës, 54-vjeçari u arrestua më datën 13 mars, ndërsa iu sekuestruan dy karta celulari si dhe automjeti tip ‘Fiat Punto’, me të cilin lëvizte dhe kishte takuar personat e tjerë të arrestuar.
Nga pamja e kamerave të sigurisë së barit përballë Piramidës del se Vathi mbërrin aty në orën 07:26 minuta të mëngjesit e disa sekonda më pas, 54-vjeçari ulet në tavolinë me një person tjetër, i njohur sipas akuzës si Jemin Sheraj.
Sipas asaj që shkruhet në dosje, pas 10 minutash nga qëndrimi në tavolinë, në orën 07:38 minuta, Sheraj duket se i jep diçka, në dukje një letër Vathit, i cili më pas largohet menjëherë nga lokali.
Në analizën e bërë nga prokuroria, Ernejt Shyti është në rolin e ekzekutorit. Për këtë, ai është kontaktuar dhe bindur nga ana e Xhuljano Vishës, i cili e ka shtyrë të bëjë vrasjen kundrejt pagesës, ndërsa ka siguruar armën dhe biçikletën e përdorur.
Organizatorë të krimit të rëndë janë Xhixha dhe Vathi, i njohur ndryshe si “Dajo”, të cilët i kërkuan Vishës të gjente një person që të kryente vrasjen.