Autoritetet hungareze kanë miratuar për përdorim emergjent vaksinës e Kinës kundër COVID-19, CanSino Biologics.
Hungaria është bërë vendi i parë anëtar i Bashkimit Evropian që e miraton këtë vaksinë. Ky vend ka shënuar rritje të numrit të të infektuarve me koronavirus.
Instituti Kombëtar i Farmacisë dhe Ushqimit i Hungarisë (OGYEI) gjithashtu miratoi për përdorim CoviShield, versioni indian i vaksinës AstraZeneca, tha shefja e Qendrës Kombëtare për Shëndet Publik të Hungarisë, Cecilia Muller.
“Ne jemi në një garë me kohën. Do të kërkojmë në të gjitha anët e botës për sa më shumë doza të vaksinave të duhura, efikase dhe të sigurta”, tha ajo.
Nëse të dyja vaksinat miratohen gjithashtu për përdorim masiv nga Qendra Kombëtare e Shëndetit, Hungaria, do të sigurojë shtatë burime nga të cilat mund të sigurojë vaksina. Ky vend tashmë po përdorë vaksinën e Kinës, atë të Rusisë si dhe vaksinat e vendeve perëndimore.