Vendosni fjalën kyçe....

“Libri, një letër e hapur drejtuar shqiptarëve” – Basha rrëfen historinë personale me bashkëshorten gjatë prezantimit


Kreu i PD-së, Basha, prezantoi sot librin e tij të parë të titulluar ‘Misioni im’.

Gjatë prezantimit të tij, kreu i opozitës tha se libri i tij është në thelb një letër e hapur drejtuar shqiptarëve.

Basha theksoi se ideja për të shkruar librin kishte nisur shumë kohë përpara është përmbyllur gjatë periudhës së pandemisë në vend.

“Dua me dy fjalë t’ju them që libri është një letër e hapur në thelb. Por nuk është një rrëfim autobiografik, nuk është as thjesht një përkthim i programit tonë politik, i planit tonë për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza sepse edhe për faktin e thjeshtë se libri ka nisur të ravijëzohet kohë përpara nxehjes së motorëve elektoralë, por është një letër e hapur drejtuar shqiptarëve, në veçanti rinisë për një angazhim të drejtpërdrejtë në politikë, për një pjesëmarrje në publiken në jetën publike si rruga e vetme për të siguruar ndryshimin, si rruga e vetme  për të siguruar atë që duam.” – tha Basha.

Ai rrëfeu edhe një histori personale, që nuk është pjesë e librit. Basha tregon çastin e fitores së PD-së në zgjedhjet e vitit 1992 dhe si u përlot bashkëshortja e tij, Aurela.

“Edhe mbaj mend diçka që në fakt edhe mund ta kisha shkruajtur në këtë libër por se kam shkruajtur, po, po e ndaj sot me ju. Kemi qenë bashkë me disa shokë të gjimnazit dhe bashkë me atë që më vonë u bë bashkëshortja ime, me Aurelën dhe një moment ndërkohë që njerëzit brohorisnin iu përlotën sytë. I thashë çfarë ke, njerëzit po gëzojnë, çfarë ke kemi fituar. Kam frikë tha dhe na u kujtua ’91-shi, ngjarjet e ’91-it, ku pas fitores te PPSH-së pati turbullira, pati viktima mes tyre të rinj. I thashë çfarë frike, kjo ka mbaruar, fituam. Jo, jo tha, kam frikë nga gjithë ky gëzim i njerëzve. Thashë pse ke frikë nga ky gëzim i njerëzve. Kam frikë tha sepse kam frikë mos zhgënjehem. Më ka mbetur në mendje kjo thënia dhe më ushtoi nga brenda si një thirrje që s’më la asnjëherë në subkoshiencë.” – shtoi Basha.

Kreu i opozitës tha më tej se përkundër asaj që propagandon qeveria, nuk është e vërtetë se Shqipëria nuk mund të ecë para e të zhvillohet.

“Nuk ka gjë më të keqe sesa zemërimi, zhgënjimi, mllefi, dufi, është plogështia. Dorëzimi që s’kemi çfarë të bëjmë, këtu jemi s’kemi çfarë të bëjmë, kështu e ka kjo punë, kështu e ka Shqipëria. Nuk është vërtetë! Nuk është e vërtetë, është investimi më tinëzar i atyre që duan të mbajnë status quo-n, gjendjen aktuale. Ata janë një grusht njerëzish, një dyzinë, madje ndoshta një gjysmë dyzinë. Pra, 12 apo 6 njerëz që mbajnë peng një popull të tërë! Që e kanë kthyer parlamentin dhe qeverinë në një instrument të pasurimit të tyre, të pushtetit të tyre dhe që përmes pasurimit dhe pushtetit të tyre diktojnë gjithçka në sferën publike. Mundohen të marrin peng median dhe të shuajnë çdo zë të pavarur. Dhe ata investojnë tek plogështia, tek mpirja që gjërat kështu janë, nuk mund të ndryshojnë.” – vijoi kreu i PD-së.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *