Presidenti rus Putin ka reaguar këtë të hënë mbi deklaratat e zyrtarëve të Bashkimit Evropian, të cilët u shprehën më herët se BE-ja nuk kishte nevojë për vaksinën “Sputnik V” të Rusisë, duke theksuar se ishte në kundërshtim me interesat dhe politikat e tyre.
Komisioneri i Tregut të Brendshëm të BE-së, Thierry Breton kishte thënë se BE nuk kishte nevojë për vaksinën “Sputnik V” kundër COVID-19 dhe mund të arrinte imunitet në të gjithë kontinentin duke përdorur prodhimin evropian.
Putin i cilësoi si të çuditshme deklarata e tyre, duke ngritur dyshime nëse ata mbrojnë interesat e qytetarëve të vendeve të Bashkimit Evropian apo të disa kompanive farmaceutike të cilat operojnë.
“Është një deklaratë e çuditshme. Ne nuk po i imponojmë askujt asgjë.” – tha Putin.
“Kjo ngre një pyetje: Interesat e kujt po mbrojnë dhe përfaqësojnë këta njerëz? Interesat e disa kompanive farmaceutike apo të qytetarëve të vendeve evropiane? “ – u shpreh presidenti rus, përcjell “Reuters”.
Agjencia Evropiane e Barnave (EMA), mori në rishikim këtë muaj vaksinën ruse “Sputnik V”, por disa zyrtarë evropianë kanë vënë në pikëpyetje nevojën për të.