Drejtues i fushatës së Partisë Demokratike, Alfred Rushaj, ka komentuar paralajmërimet e kryeministrit Edi Rama mbi takimet elektorale të Bashës, ku shfaqet mes turmës, duke shkelur masat antiCovid.
I ftuar në emisionin “Quo Vadis”, Rushaj u shpreh se Rama fajëson opozitën për çdo gjë negative që ndodh në vend, e për këtë arsye, deklaratat e tij nuk merren seriozisht.
“Për kryeministrin çdo gjë të keqe në këtë vend e bënë opozita. Për kryeministrin, fajin e ka opozita për çdo gjë. Nuk është diçka që e marrim seriozisht. Mundohemi që të tregohemi të kujdesshëm.”-deklaroi drejtuesi i fushatës së PD
Rushaj ka zbuluar edhe detaje nga strategjia e Bashës.
“Takimet derë më derë janë bazë e strategjisë së fushatës sonë. Nuk ka asgjë që mund ta zëvendësojë shtrëngimin e duarve. Kjo fushatë kërkon burime njerëzore të mëdha. Basha do të shkojë në çdo qytet e fshat. Mesazhi që përcjellim te qytetarët është i njëjtë”-deklaroi Rushaj.