Sot mbërritën në aeroportin e Rinasit një sasi prej 10 mijë vaksinash ruse anti-Covid, Sputnik V. Lajmin e njoftoi kryeministrin Rama që tregoi se ato ishin dhuratë e Princit të Kurorës së Emirateve Arabe.
Por pak muaj më parë, kreu i qeverisë u përfshi në një debat me ambasadën ruse në Tiranë, pikërisht ëpër vaksinën Sputnik V që mbërriti sot në Tiranë e që do përdoret për vaksinimin e popullatës.
Në dtaën 28 dhjetor 2020, këshilltari i Ramës, Fuga, i ‘qahej’ shefes së KE-sëm Von der Leyen, duke thënë se ndërsa vendet e BE-së po shpërndanin vaksinat mes vetes, Ballkani perëndimor ishte lënë i vetëm në këtë proces. Pak orë më vonë, ambasada ruse në Tiranë shkroi në Facebook duke theksuar se Rusia është e gatshmë të ofrojë vaksinën e saj kundër Covid-19.
Oferta në fjalë u quajt një provokim nga ana e kryeministrit Rama një ditë më pas, më 29 dhjetor. Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, kreu i qeverisë tha se reagimi i ambasadës nuk ishte i përshtatshëm për një shtet serioz, ishte qesharak dhe provokues por pohoi se nëse do ishte e nevojshme, Shqipëria do shihte për mundësi të tjera vaksinash përveç atyre Pfizer, AstraZeneca e Moderna.
Një ditë pas reagimit të Ramës, ambasada ruse bëri një tjetër postim në faqen e saj në Facebook, duke thënë se nuk kishte asnjë qëllim të provokonte Tiranën zyrtare po thjesht u ofrua për ta ndihmuar në procesin e vaksinimit.
Në disa dalje mediatike, brenda e jashtë vendit, kryeministri Rama është ankuar vazhdimisht ndaj BE-së lidhur me vaksinat duke thënë se Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit perëndimor janë lënë pa ndihmë në këtë drejtim.