Vendosni fjalën kyçe....

Ish-shefi i inteligjencës thotë se SHBA “ka më shumë prova sekrete” për UFO-t se sa janë bërë publike


Ndërsa po afron afati i 1 qershorit që Pentagoni dhe agjencitë e inteligjencës amerikane kanë që të paraqesin raportet e tyre mbi vëzhgimet e UFO-ve, një ish-zyrtar i lartë ka deklaruar se ka shumë “më shumë sesa janë bërë publike”.

Në një intervistë për “Fox News”, një ish-drejtor i inteligjencës kombëtare nën administratën e Trumpit, John Ratcliffe, deklaroi se zyra e tij nuk ishte në gjendje të merrte më shumë raporte në një format të paklasifikuar përpara se të linte postin. Ai e ka fjalën për pamjet e objekteve të pazakonta, që janë të vështira për t’u shpjeguar.

“Dhe kur flasim për shikime, ne po flasim për objekte që janë parë nga pilotët e Marinës ose Forcave Ajrore, ose janë marrë nga imazhe satelitore që sinqerisht përfshihen në veprime që janë të vështira për t’u shpjeguar.”– tha Ratcliffe, duke shtuar se ngjarjet ishin regjistruar nga “sensorë të shumtë”.

Disa nga incidentet përfshinin manovra që është e pamundur të kryhen me teknologjinë aktuale njerëzore. Ratcliffe këmbënguli se është në interesin e publikut që informacioni të bëhet publik.

Ai tha se zyrtarët ushtarakë gjithmonë kërkojnë t’i japin një shpjegim të arsyeshëm, por ka shumë raste në të cilat kjo thjesht nuk është e mundur.

“Por ka raste kur nuk kemi shpjegime të mira për disa nga gjërat që kemi parë.”– shprehet Ratcliffe, citon RT.

Raporti i ardhshëm është pjesë e projekt-ligjit prej 2.3 trilionë dollarësh, të cilin ish-presidenti Donald Trump nënshkroi në dhjetor për ndihmat për Covidin, por përfshihej edhe një pikë për inteligjencën.

Raporti duhet të identifikojë të gjitha kërcënimet e paraqitura nga këto UFO dhe të sigurojë një vlerësim nëse ata mund të jenë teknologji shumë e përparuar që posedojnë kundërshtarë të huaj të SHBA-ve, apo nëse ato janë me natyrë potencialisht jashtëtokësore.

Raporti pritet të paraqitet në formë të paklasifikuar, por mund të përfshijë një aneks të klasifikuar.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *