Kandidatja e PD-së për deputete, Grida Duma, ka paditur sot për shpifje kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.
Në një deklaratë jashtë Gjykatës Penale, Duma tha se e ka paditur Veliajn për shpifje dhe se dëmi i parashikuar do të shkojë deri në 3 milionë lekë të reja.
“I jemi drejtuar sot Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës, Dhomës Penale, sepse qëndron në detyrimin e shtetasit Erion Luan Veliaj, të vërtetojë saktësinë e shpifjeve të tij.
E parashikon ligji që është në detyrën e deklaruesit të vërtetojë vërtetësinë e deklarimeve, deklaratave apo shpifjeve që ai vetë bën.
Dispozita ligjore që parashikohet në Kodin Penal është dëmi i parashikuar do të shkojë në 3 milionë lekë të reja.
Në varësi të asaj që gjykata do të vendosë në formë të prerë, unë deklaroj që ky dëm do t’i shkojë shtetit shqiptar dhe askujt tjetër.
Por ajo që duhet të përmendim qartë dhe pastër, është se drejtësia nuk është vetëm një gjykim, është besim. Vlera e fjalës nuk është një Kështjellë rëre dhe është më e rëndësishmja sot për të rindërtuar Shqipërinë dhe për të rindërtuar besimin në institucione.”- tha zonja Duma.
Këtë padi ndaj Veliajt, zonja Duma e ka ngritur pasi ai disa herë e ka quajtur atë “trafikante apartamentesh”.
“Shtetasi Erion Veliaj ka ngritur një sërë akuzash të drejtpërdrejta, duke e akuzuar znj. Duma si trafikante apartamentesh. Deklarata të tilla përveçse janë trillime shpifëse, bëhen duke përdorur një terminologji kriminale pikërisht për t’i bërë më të rënda për publikun.”.- thuhet në padinë e zonjës Duma.