Gjykata e Fierit ka dhënë sot masën e sigurisë “arrest me burg” për Albert Zajen, i cili dyshohet për vrasjen e Shkëlzen Kastratit, ngjarje e ndodhur më 1 shkurt në Sheq të Fierit.
37- vjeçari, Albert Zaja, ishte një nga 4 personat e shpallur në kërkim për vrasjen dhe u arrestua dy ditë më pare, në Nikël të Fushë-Krujës.
Zaja ka qenë i armatosur në momentin e arrestimit, por nuk ka bërë rezistencë.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 1 shkurt 2021 në Sheq, ku Shkëlzen Kastrati u qëllua me dy plumba brenda makinës së tij, njëri prej të cilëve në kokë. Ai u qëllua nga një mjet ‘Range Rover’, i cili u gjet më pas i djegur në Fushë Krujë.
Përveç Albert Zajës, në kërkim janë shpallur edhe tre persona të tjerë, të cilët dyshohen si bashkëpunëtorët e tij, Elmir Tufa, Silvio Cara dhe Elson Xhecuka.