Ish-ministrja e Integrimit dhe kandidatja për deputete e LSI-së Klajda Gjosha, ka reaguar në lidhje me shembjen e disa objekteve në kryeqytet, duke akuzuar bashkinë e Tiranës për prishje të monumenteve të kulturës.
Gjosha thotë se të shtunën u prish materniteti ‘Mbretëresha Geraldinë’ ndërsa të hënën u prish Mozaiku i Tiranës.
“Javë e tmerrshme për Tiranën. Të shtunën në darkë u prish materniteti Mbretëresha Geraldinë, monument kulture e memorie historike për të gjithë qytetarët që lidhën me të me qindra mijëra kujtime!
Të hënën u prish Mozaiku i Tiranës. Gjurma më e vjetër historike e Kryeqytetiti nga periudha e Perandorisë Romake, asaj Bizantine dhe fillimet e Krishtërimit në Shqipëri. Shkatërrohet në pak sekonda duke u mbuluar e gjitha në beton!
Ndërkohë po këto ditë është marrë dhe vendimi në KKT që Galeria Kombëtare e Arteve të ndjekë fatin e godinës së Maternitetit. Për fat të keq projekte të ngjashme janë parashikuar dhe për Muzeun Historik dhe Bibliotekën Kombëtare.”- shkruan zonja Gjosha.
Sipas Gjoshës, qeveria e PS-së po shkatërron çdo pasuri kulturore të vendit ndërsa e konsideron 25 Prillin, një mision kombëtar.
“Në fund të mandatit kjo qeveri po shkatërron e tjetërson çdo pasuri kulturore e publike. Duket sikur zemërimi për humbjen e pushtetit po del duke shkatërruar çdo gjurmë historie dhe identiteti mbi kryeqytetin e Shqipërisë!
25 prilli nuk është vetëm rotacion politik por dhe mision kombëtar! Duhet t’ia ndalim dorën kësaj qeverisje, para se të na tjetërsojë dhe si qytetarë e si komb!”- shton Gjosha.